Gjykata Supreme angleze ka rrëzuar apelimin e kryeministres Theresa May dhe ka theksuar sërish se do të jetë parlamenti britanik ai që do të vendosë nëse qeveria mund të fillojë procesin e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE, njohur ndryshe si Brexit. Vendimin e mori Gjykata Supreme paraditen e sotme.
Vendimi duket se e shtyn planin e Kryeministres May për të nisur zbatimin e Nenit 50 të Traktatit të Lizbonës – mekanizmi ligjor që fillon procesin e largimit nga BE – deri në fund të marsit.
Gjithsesi Gjykata u shpreh se qeveria britanike nuk ka nevojë për miratimin e parlamentit të Skocisë, Irlandës së Veriut dhe Uellsit për nisur procesin e negociatave me BE-në.
Një zëdhënës për shtyp i qeverisë deklaroi se gjithsesi ky vendim nuk do të ndryshojë afatet e Brexit.
“Britanikët votuan për tu larguar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria do të plotësojë verdiktin e tyre”, u shpreh ai.
Referendumi i 23 qershorit, ku britanikët votuan pro daljes nga Bashkimi Evropian, shënon një datë të rëndësishme jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por për gjithë Evropën.
Në politikën e brendshme, pas Brexit, ndodhën ndryshime të mëdha. Liderët e vendit, përfshirë dhe ish-Kryeministrin Cameron, dhanë dorëheqjen.
Ndërsa për efektet në ekonominë, si britanike ashtu dhe atë evropiane, ka pasur diskutime të shumta, por ende pritet nisja e negociatave për të parë termat me të cilën britanikët do të shkëputen nga BE.