Bypassi i Gjirokastrës shkatërron monumentet e kulturës

Nga Vincent Van Gerven Oei
Bypassi i Gjirokastrës shkatërron monumentet e kulturës

Më 10 nëntor 2015, Atelier Albania, Agjencia e Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Ministria e Kulturës hapën konkursin ndërkombëtar të arkitekturës për “Projektimin e Bypassit në qytetin e mbrojtur nga UNESCO, Gjirokastër”. Gjirokastra është ndërtuar në një zonë arkeologjike, me banesa të periudhës mesjetare të hershme. Gjithashtu, Gjirokastra është qyteti i ruajtur më mirë nga periudha otomane në Ballkan.

Gjatë prezantimit të konkursit dhe të tre finalistëve, drejtoresha e AKPT Adelina Greca u vrenjt, kur fituesi i projektit, Atelier 4 – klient i rëndësishëm i qeverisë Rama, u shpall përpara prezantimit dhe procesit të vlerësimit nga juria. Kjo firmë është përfshirë në shumë projekte, ku ndër to bën pjesë edhe ndërtimi i stadiumit “Qemal Stafa”. Projekti i bypassit të Gjirokastrës financohet nga Banka Botërore nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Garuesit e tjerë ishin bashkimi i kompanive SON Group, C+S Cappai Associates, dhe F&M Ingeneria në bashkëpunim me Metropolis dhe Cultural Heritage Without Borders, si dhe një Organizatë jofitimprurëse e specializuar në ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore.

Propozimi fitues i Atelier 4 për bypassin e Gjirokastrës u miratua më 13 shtator 2016, nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (KKR), por tani duket se propozimi final ka ndryshuar nga ai fitues, duke u kthyer në një kërcënim për monumentet e kulturës të mbrojtura nga UNESCO.

Shkelje e Zonave të mbrojtura

Në thirrjen e parë kërkohej që bypassi “të vendosej në rrethinat e Qendrës Historike dhe të Zonës së Mbrojtur”. Sepse duke ndërhyrë në brendësi të zonës së mbrojtur, projekti shkel ligjin e Trashëgimisë Kulturore, i cili parashikon se:

Zonat-muze, ansamblet-muze, qendrat historike, parqet arkeologjike janë kategori objektesh në grup, që ruhen në tërësinë e tyre si komplekse historiko-arkeologjike, monumentale, arkitektoniko-urbanistike dhe mjedisore.

Në këto kategori objektesh është e ndaluar çdo lloj ndërtimi i ri, me përjashtim të rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe rikonstruksionit.

Përveç kësaj, Bypassi i Gjirokastrës shkel Konventën e Shqipërisë për Restaurimin (VKM nr. 426, 13 korrik 2007). Pavarësisht kuadrit ligjor ekzistues, Rregullorja për Mbrojtjen, Ruajtjen dhe Administrimin e Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur të Gjirokastrës e miratuar nga Qeveria Rama me VKM, Nr. 619, me datë 7 korrik 2015, parashikon se “Ndërtime të reja në Qendrën Historike përveç përmirësimit të infrastrukturës rrugore, rrjeti inxhinierik, si dhe rindërtimet e sipërmendura”. Me fjalë të tjera, vendimi i qeverisë Rama shkel Ligjin e Trashëgimisë Kulturore me qëllimin e vetëm për të lejuar zbatimin e projektit të Bypassit të Gjirokastrës, e tenderuar për një nga klientët e tij të preferuar.

Le të shikojmë ku qëndrojnë shkeljet në këtë projekt.

Shkelje në termat e referencës

Përveç faktit që projekti i Bypassit të Gjirokastrës është tashmë në shkelje të ligjeve të vendit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, të paktën projekti i propozuar duhet të japë zgjidhje me impakt më të vogël në zonat e mbrojtura. Propozimi fitues i Atelier 4 vendos 90 për qind të të gjithë bypassit në zonën e mbrojtur, në qendrën historike të Gjirokastrës, dhe vetëm një pjesë prej 10 për qind, të ashtuquajturën “Zonën Buffer”, jashtë saj. Nga të treja propozimet, propozimi i Atelier 4 është ai që dëmton më shumë zonën e mbrojtur.

Shkatërrimi i monumenteve të kulturës

Projekti i Atelier 4 përfshin shkatërrimin e dy monumenteve Kulturore të Nivelit të II, si dhe ndërhyrjen në themelet natyrore të Kështjellës së Gjirokastrës, e cila është planifikuar për gërmime arkeologjike. Duke vepruar në këtë mënyrë, propozimi thjesht zhvendos trafikun nga zona e Pazarit në zonat përreth Kështjellës, duke shkatërruar zonën e gjelbër për këmbësorët. Asnjë studim paraprak për transportin nuk është bërë dhe nuk ka asnjë provë se projekti i bypassit do të lehtësojë realisht trafikun.

Dyfish më i shtrenjtë

Projekti i diskutuar dhe i miratuar nga KKR është thelbësisht ndryshe nga projekti i shpallur fitues në konkursin e Atelier Albania. Ai është dy herë më i shtrenjtë se sa projekti fillestar. Projekti tani kushton pesë milionë euro dhe më shumë se 50 për qind e planit është ndryshuar. Kjo në mënyrë automatike e nxjerr të pavlefshëm të gjithë konkursin. Figurat e mëposhtme tregojnë propozimin fillestar të Atelier 4 (Fig. 1) dhe propozimin e miratuar nga KKR (Fig.2).

Propozimi i parë gjatë konkursit

 

Propozimi i dytë miratuar nga KKT-ja

 

Aktiviteti sizmik

Të paktën tre studime të pavarura gjeologjike dhe sizmike të vitit 1980, 2006 dhe 2012, përfshirë një projekt të drejtuar nga Ministria e Kulturës, tregojnë se bypassi është planifikuar mbi zonë sizmike. Ajo ndodhet mbi një çarje tektonike shumë të rrezikshme. Asnjë masë parandaluese në lidhje me rrezikun e aktivitetit sizmik nuk është parashikuar në propozim.

Çarja tektonike (vija e kuqe me pika) nën Gjirokastër. Burimi: Plani i Rekuperimit të Qëndrës Historike Gjirokastër (mars 2006).

Përtej kërcënimit të menjëhershëm në trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës, efektet e zbatimit të projektit të Bypassit do të shtrihen në kohë. Sipas Cultural Heritage Without Borders, në Gjirokastër ka të paktën 169 monumente kulturore të kategorisë së II dhe të I të ndodhura brenda qendrës historike të mbrojtur, janë në kushte kritike.

Në vitin 2011, Qendra Botërore e Trashëgimisë UNESCO kërcënoi se do ta vendoste Gjirokastrën në listën e Trashëgimive Kulturore Botërore në rrezik, nëse qeveria nuk plotësonte kriteret. Por asnjë nga këto kritere nuk janë përmbushur nga qeveritë shqiptare. Paratë e shpenzuara  në projektin e keq planifikuar të bypassit mund të ishin shpenzuar më mirë për restaurimin e monumenteve kulturore të cilat janë në rrezik shembje.

Këtë verë, një ekip vlerësuesish ndërkombëtarë të ICOMOS po planifikojnë të vizitojnë Gjirokastrën për të vendosur për progresin e bërë për mbrojtjen e qytetit. Por, për qeverinë, të tregojë një rrugë të re, dy monumente të shkatërruara dhe 169 monumente të tjera në rrezik është nisja më e mirë për këtë vlerësim.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>