Sot, Ministri i Financave Arben Ahmetaj u prezantua si kandidati i Partisë Socialiste për qytetin e Kavajës. Ministri Ahmetaj u prezantua dhe u shoqërua nga ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi.
Zoti Roshi rezulton i dënuar në Itali për veprën penal të përdhunimit në grup, për trafik droge dhe pastrim parash. Në fund të dhjetorit, KQZ i hoqi mandatin Zotit Roshi pasi ai fshehu të shkuarën kriminale në formularin e vetëdeklarimit, siç e parashikon ligji i dekriminalizimi.
Por, pavarësisht të shkuarës së tij kriminale, Zoti Roshi vazhdon të drejtojë politikën e Partisë Socialiste. Kjo vihet re edhe gjatë fjalës së ministri Ahmetaj, i cili e quan ende Zotin Roshi Kryetar Bashkie dhe punën e tij e merr shembull për qytetet e tjera të Shqipërisë.
Më poshtë, pohimet kryesore të Zotit Ahmetaj:
- Kavaja për mua në mandatet e Kryetarit të Bashkisë Zotit Roshi është një surprizë qoftë për Partinë Socialiste, qoftë për Shqipërinë. Ju uroj gjithë të mirat dhe ju falenderoj edhe në emër të Kryeministrit;
- Kavaja jo më si ai qytet i vjetër i karrocave me kuaj, por si një qytet i urbanizuar, që kryetari [Elvis Roshi] sëbashku me ju e ka bërë një qytet që tërheq realisht 40 përqind të turizmit të Shqipërisë edhe për këtë ju uroj;
- Kam bërë shumë punë në Gjirokastër dhe i kam premtuar edhe kryetarit [Elvis Roshi] dhe kryetarit të partisë [kryetari i PS Kavajë] për të parë çfarë kemi bërë në Gjirokastër;
- Më tha dikush shumë i lartë në politikë, se të paralajmëroj se do të gjej belaja me kryetarin e bashkisë, nga fillimi deri në fund do kërkoj vetëm projekte;
- Dhe më besoni unë deri tani mburresha me punën që kisha bërë në Gjirokastër, por sinqerisht sa punë është bërë këtu nuk është bërë në asnjë vend të Shqipërisë;
- Këtë ma besoni dhe kjo është meritë e juaja dhe Kryetarit të Bashkisë. Ia keni dalë, keni bërë sfidë gjithë Shqipërisë dhe sot jeni shembull. Unë dua t’ju numëroj disa projekte që kryetari po i kthen në realitet;
- Unë jam shume i kënaqur që këtu ka një unitet në mes kryetarit të bashkisë, kryetarit të partisë, FRESH-it dhe forumit të gruas;
- Dua të ndaj me ju një të vërtetë; Kryeminsitri i Shqipërisë bëhet sërish kryeministër në tre zona për të garantuar qarkun e Tiranës me 18 deputet. Një nga këto zonat është kjo zona këtu, e Kavajës. Çdo votë e konsolidon Edi Ramën si kryeministër të Shqipërisë.