Presidenti Nishani ka shprehur mesazh ngushëllimi për humbjen tragjike të jetës së 3 minatorëve kinezë në Bulqizë.
“Gjatë gjithë këtyre ditëve i kam ndjekur me vëmendje dhe shqetësim, pse jo edhe me shpresë, përpjekjet e mundimshme që po bëheshin për shpëtimin e tyre, por mbrëmë më mbërriti lajmi i kobshëm për gjetjen e trupave pa jetë të tre minatorëve, të cilin e prita me hidhërim të madh”, shprehet kreu i shtetit.
Ai bën apel institucioneve të marrin masa që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në galeritë e minierave. Gjithashtu Nishani kërkon që të vihen para përgjegjësisë të gjitha shkaktarët e mundshëm të kësaj tragjedie.
Tre minatorët u gjetën pa jetë pas 6 ditë kërkimesh. Ata ndërruan jetë në nivelin 21 të minierës si shkak i shpërthimit të gazit të hidrogjenit.