Për të kuptuar se çfarë pasojash kanë sjellë vendimet e një drejtësie të padrejtë, mjafton të shihje entuziazmin e pazakontë që përfshiu dje protestuesit durrsakë, pranë kullës veneciane, kur drejt tyre po mbërrinte një grup i vogël aktivistësh, të sapodalë nga salla e gjyqit.
Të papërmbajtshëm në gjestikulacione, me një ritëm prej fitimtarësh, në fytyrat e tyre, përgjigja ishte lehtësisht e lexueshme: Gjykata Administrative kishte vendosur në favor, duke pezulluar punimet! Shqetësimi publik, ndonëse i shprehur përmes një grushti aktivistësh, kishte shënuar fitoren e tij të parë në një përpjekje për të ndaluar ndërtimin që rrezikonte trashëgiminë.
Dielli kishte hyrë në orën e tij të artë dhe ndoshta, jo pa shkak, një rastësi fizike si kjo, mund të shërbente edhe si një metaforë, se Durrësi mijëvjeçar premtonte një të nesërme ndryshe.
Por ndërsa askush nuk është aq mendjelehtë për të mos e kuptuar se kjo është një fitore e përkohshme dhe ende jo e plotë, ndërkohë, ajo është sidoqoftë një arritje! Dhe kjo për disa arsye.
Kur mora sinjalet e para, pothuajse askush nuk dinte të thoshte asgjë me siguri. Media lokale flinte, ndonëse makineritë e rënda të ndërtimit kishin ditë që ishin ngulur thellë nëntokë. Në emër të ndërtimit të sheshit të ri në hyrje të portit i pagëzuar nga kryetari pushtetplotë, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, gjithashtu po heshtte! Por falë disa individëve, qytetarë të zakonshëm të këtij qyteti, në Rrjet filluan të hidhen fotografitë e para… Rreziku i një dëmtimi të mundshëm rrënojash arkeologjike ishte i dukshëm. Interesi qytetar po zgjohej.
Ishin pikërisht këto rrethana që e detyruan burokracinë të lëvizë.
…Një fitore e shoqërisë civile? Ka shumë që e shohin si të tillë. Por këtë radhë ajo funksionoi ndryshe, çka e bëri të veçantë e të dallueshme, duke reflektuar një tipar të pazakontë e më të thellë se diçka e sipërfaqshme që shërben thjesht, si një etiketë, apo një emër i përgjithshëm, me të cilin prej vitesh jemi mësuar ta etiketojmë çdo aksion si shoqëri civile. Kjo ishte një ndërmarrje vullnetare, një përpjekje e motivuar nga një vetëdije më e thellë, nga përkatësia dhe jo nga aksioni i imponuar prej një shkëmbimi racional të motivuar nga përfitimi.
Arsyeja e dytë ka të bëjë më të vërtetën; fuqinë e saj! Në fare pak kohë, maska e mashtrimit ra! Ndonëse kryetari e fshehu, aktivistët treguan se punimet po kryhen në një zonë të ndaluar dhe pa praninë e arkeologëve. Shkeljet janë të mjaftueshme që kryetari të përgjigjet penalisht.
Por akoma më shumë kjo fitore e vogël, ky vendim, reflekton shijen e mirë dhe shpresën me të cilën një drejtësi e mirë mund të ushqejë lëvizjen qytetare. Përmes një akti fare të thjeshtë, por të drejtë, në interes të çështjeve publike, gjykata riktheu besimin dhe vullnetin e lëkundur nga përballjet e pasuksesshme të deritanishme me një administratë të korruptuar e në shërbim të interesave të oligarkisë.
Por vendimi i djeshëm mund të konsiderohet edhe si një fitore, për mënyrën se si u raportua. Gjatë kohës që protestuesit grumbulloheshin përpara Kullës, media e vjetër servirte pamje përleshjesh nga salla e Kuvendit. E përcjellë mes titrave me ngjyra dhe me gërma të mëdha, me zë e me figurë, përleshjet e deputetëve bllokuan për orë të tëra, transmetimet televizive, ndërsa fitorja e aktivistëve, pothuajse mungoi! Ajo u raportua, përveçse kalimthi.
Por ajo shpërtheu në rrjet, duke marrë me mijëra komente e mbështetje popullore. Ajo u mbeshtet prej aktivistëve që kundërshtuan ndërhyrjen arbitrare të kryetarit të bashkisë në Tiranë në Parkun e Liqenit, u mbështet prej aktivistëve vlonjatë që shpërthyen prangat e makinave të vendosura prej koncesionarit dhe kundërshtuan vendimin e kryetarit të bashkisë në Vlorë. Ajo u përkrah nga aktivistët në mbarë Shqipërinë që u ngritën kundër përpjekjes së qeverisë për të lejuar importin e mbetjeve. Janë tërë këto arritje në këtë fitore të vogël.
Ndaj dhe ky vendim është edhe një fitore për median e re.
Dhe tani, kur pas këtij vendimi surprizë e të favorshëm, kur koha në dispozicion të aktivistëve vullnetarë, për të grumbulluar fuqitë është e shkurtër, shndërrimi i këtyre fuqive në mbështetje për arkeologët e arkitektët urbanë është një detyrë e re, në mënyrë që babëzia e investitorëve privatë për të gllabëruar trashëgiminë, në emër të zhvillimit, të marrë goditjen finale!