Vitori Çipi nuk ia mbushi syrin oficerit të policisë kur ajo zuri vend e para në njërën prej karrigeve të vëna në dispozicion të të pandehurëve. Më pas, një tjetër vajzë, Bora Mema, u ul pranë saj…
Në krah të tyre, disa rrjeshta të pakta karrigesh ishin mbushur plot me studentë. Ishte një sallë e vogël gjyqi, këtu në katin përdhe të Dhomës Penale të Tiranës dhe tetë të pandehur, të gjithë studentë nga “Lëvizja për Universitetin”, ishin thirrur për t’u njohur me diskutimin përfundimtar të Prokurorisë së Tiranës.
Kjo ishte çështja me numër 8834, e nisur në nëntorin e vitit 2015, por që tani, në të hyrë të pranverës, po shkonte drejt fundit.
Vetëm pas pak çastesh, prokuroria do t’i deklaronte, fajtorë ose jo, mbi bazën e materialeve të referuara nga policia gjyqësore e Komisiaratit të Policisë Nr. 2 Tiranë, që i akuzonte këta të rinj se kishin lëshuar vezë në drejtim të kryeministrit gjatë një vizite të tij në ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale.
Jo shpesh, një gjyq kërkon më shumë kurajo se një protestë. Le të shohim!
Të gjithë u ngritën në këmbë kur gjyqtari Micko u fut në sallë. Seanca u çel me formalitetet e ligjërimit. Më pas, sipas parashikimit, fjala i kaloi prokurorit për diskutimin përfundimtar.
Ishte ora 14:50 e datës 27 shkurt 2017 kur në sallën nr. 9, prokuroi Julian Zonja lexoi…
Sipas tij ekzistonin fakte të cilat provonin veprën penale dhe se të tetë të pandehurit duhej të deklaroheshin fajtorë.
“Goditja, shtoi prokurori Zonja, nuk ka sjellë pasoja, por në formën e kryerjes i plotëson kushtet e veprës penale”.
Ai kërkoi deklarimin fajtor për studentët e akuzuar dhe dënimin me dy muaj burg, të cilin, nisur nga disa rrethana lehtësuese, e pezulloi dhe kërkoi që të zëvendësohej me detyrimin e të pandehurëve për kryerjen e një punë prej 60 orësh me interes publik.
Por prokuroria nuk e cilësoi, nëse veza e kishte arritur objektivin drejt të cilit ishte nisur!
Mes rrjeshtave në diskutimin përfundimtar, tërhiqte vëmendjen kjo fjali: “nga kqyrja e vendit të ngjarjes ishte dokumentuar se ishte qëlluar me vezë, por lëngu i derdhur dhe njollat u konstatuan vetëm në oborrin e shkollës”.
“Prokuroria e mbështeti akuzën në relacionin e Policisë dhe në pamje filmike të pretenduara që nuk i solli asnjëherë në sallë. Dëshmitarët, shpesh here, ishin të paqartë për të vërtetuar akuzën. Asnjë prej policëve nuk tregoi se cili prej të pandehurëve kishte qëlluar me vezë”, u shpreh avokati Dorian Matlija.
Reagimi në sallë nuk tregoi ndonjë surprizë. Studentët u larguan në heshtje, ashtu siç hynë, por të bashkuar.
Përpara kamerave në oborr, Bora Mema e u shpreh se ky është një gjyq politik që cënon një të drejtë kushtetuese, të drejtën për të protestuar.
Ata do të mbrohen në 13 mars, në orën 12:30.