Francë, shtyhet gjyqi për ekstradimin e Ramush Haradinajt

Francë, shtyhet gjyqi për ekstradimin e Ramush Haradinajt

Gjykata e Colmarit në Francë ka vendosur sot të shtyjë gjyqin për ekstradimin në Serbi të Ramush Haradinajt për në 6 prill.

Megjithëse Ministria e Drejtësisë së Serbisë ka dërguar një sërë dokumentesh si provë për kërkesën për ekstradim të Zotit Haradinaj, gjykata ka kërkuar më shumë prova. Vendimin e gjykatës, Zoti Haradinaj e ka quajtur turpërues:

 “Gjykata i ka dhënë edhe një muaj shtesë autoriteteve serbe për informata shtesë. Ky është abuzim politik, kjo çfarë po ndodh është turpëruese. Lufta e UÇK-së është filtruar në Gjykatën e Hagës, kështu që unë kam mbetur peng politik.”

Avokatët mbrojtës të Ramush Haradinajt janë shprehur se gjasat që Zoti Haradinaj të esktradohet në Serbi janë zero dhe se vendimi i gjykatës për t’i dhënë më shumë kohë shtetit serb nuk është i drejtë.

Zoti Haradinaj u arrestua më 4 janar në aeroportin e Basel-Mulhouse bazuar në një fletë arresti lëshuar nga Serbia në vitin 2004, ku akuzohet për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.

Gjykata e Colmarit ka vendosur më parë lirimin me kusht të Zotit Haradinaj, por ai duhet të qëndrojë në Francë deri në marrjen e vendimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>