Në janar të këtij viti, kur qeveria urdhëroi mbylljen e shkollave me justifikimin e epidemisë së gripit, shumë media e qytetarë denoncuan se nuk ishte gripi arsyeja e vërtetë e shtyrjes së mësimit: shkollat nuk kishin ngrohje, ndaj në temperaturat e acarta të janarit, nxënësit do të ftoheshin.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj e kundërshtoi hapur këtë fakt, kur në një kronikë lajmesh, më 16 janar, deklaroi:
Për të gjithë ata që ankohen për çështjet e ftohjes dhe të sistemeve të ngrohjes në shkolla, i kujtoj se deri para një viti e kishin Tiranën në dorë. Na lanë nga 200 shkolla vetëm dy me ngrohje, sot jemi në një situatë ku themi se kemi vetëm dy pa ngrohje.
Së pari, numri i pretenduar nga Kryebashkiaku Veliaj duket aspak real dhe tepër i fryrë. Në faqen e Bashkisë Tiranë nuk jepet informacion lidhur me sa shkolla publike ka në Tiranë, ndërsa në faqen e Ministrisë së Arsmit, me vështirësi mund të gjesh grafikë të vlerësimit për shkollat, ku rezultojnë 53 shkolla nëntë vjeçare, 15 shkolla të mesme të përgjithshme dhe 8 shkolla të mesme profesionale, në total 76.
Së dyti, një studim i Albanian Platform for Policy Advocacy (APPA), në 15 shkollat e mesme të Tiranës, për periudhën janar-shkurt 2017, na tregon në fakt të kundërtën e asaj që pretendon kryetari i Bashkisë.
Sipas APPA-së, rreth gjysma e gjimnazeve në Tiranë, të gjitha nën përgjegjësinë e Bashkisë Tiranë për ndërtim e mirëmbajtje, nuk kanë fare sistem ngrohje.
Në asnjë prej shkollave të mesme në Tiranë, edhe në ato që e kanë një sistem të tillë, ky i fundit nuk funksionon.
Skandali thellohet akoma më tej pasi mësimi në 9 prej tyre zhvillohet me dy turne, çka do të thotë se një pjesë e mirë e nxënësve janë të detyruar ta zhvillojnë mësimin mbasdite, kur temperaturat ulen edhe më tej.
Nuk është e qartë se për kë shkolla ka folur Kryebashkiaku Veliaj kur thotë se nga 200 shkolla, vetëm dy nuk kanë ngrohje. Ka të paktën 15 gjimnaze, që tempereaturat e ulëta të dimrit, përveç ditëve të pushimit nga ministria, i kanë kaluar në shkolla pa ngrohje.
Ndërkohë për 53 shkollat nëntë vjeçarë të Tiranës dhe 8 shkollat e mesme profesionale, nuk ka ende një situacion të saktë. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ndryshe nga kryebashkiaku Veliaj, ka zgjedhur të heshtë e të mos i përgjigjet fare pyetjeve për ngrohjen në shkolla.