Kryeministri Rama—tejet nervoz, dukshëm i acaruar, me një të folur të shpejtë që dëshmonte ngutjen për ta hequr qafe sa më parë detyrimin për të folur—harxhoi sot në mbrëmje pothuajse të gjithë monologun e paralajmëruar për të shpjeguar arsyet e ndryshimeve në qeveri duke shpjeguar, në fakt, mos arsyet.
Kur e mbaroi, të gjithë kuptuam diçka të thjeshtë: heqja e Saimir Tahirit nuk është bërë me dëshirë, nuk është bërë me qetësi, nuk është bërë me vullnet të lirë, por nën trysni dhe si domosdoshmëri për të shpëtuar pushtetin e tij.
Hamendësimi më i mundshëm tani duket të jetë ai se Saimir Tahiri është larguar pas këmbënguljes së qeverive të huaja. Sikurse është deklaruar nga ish-Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, nga kryetari i opozitës Lulzim Basha, zëra të besueshëm publikë dhe burime diplomatike në Tiranë, disa qeveri të huaja kanë kërkuar me kohë largimin e Saimir Tahirit për shkak të bindjes apo provave të tyre për lidhjet e tij me krimin.
Por deri më sot, Edi Rama ka qenë i palëkundur në krah të ministrit të tij, duke krijuar gjithmonë e më shumë bindjen tek të huajt se lidhjet e Tahirit me krimin ishin jo vetëm të njohura për Kryeministrin, por edhe në shërbim të tij.
Ajo që ndryshoi dhe vulosi fatin e Tahirit është protesta e opozitës, jo rastësisht, me kauzën e luftës kundër lidhjeve të qeverisë me krimin, të cilat rrezikojnë lirinë e zgjedhjeve të ardhshme.
Me gjasa, i gjendur përpara trysnisë së huaj për t’u rreshtuar në krah të kauzës së opozitës nëse nuk do largonte Tahirin, Rama ka vendosur më në fund ta largojë atë për të mos rrezikuar pushtetin e tij.
Por për të fshehur këtë motivim, iu desh të largonte edhe tre ministra të tjerë, në përpjekje për t’i dhënë ngjarjes pamjen e ndryshimeve normale strategjike partiake.
Gjëja e dytë që mësuam nga monologu më i vështirë i Kryeministrit deri më sot është se Edi Rama është i trembur.
Edi Rama ka përjashtuar nga partia—jo thjesht nga qeveria—figura shumë më sfiduese dhe politikisht e elektoralisht të dëmshme për të, përfshi Koço Kokëdhimën dhe Ben Blushin, por ai nuk ka shfaqur në asnjë rast nervozizëm, pasiguri apo trembje.
Ndërsa sot, edhe pse Saimir Tahirin vetëm sa e ka tërhequr nga qeveria, por e ka ende njeriun e tij më të afërt privatisht dhe politikisht, ai është shfaqur shumë i pasigurtë, në mos i trembur.
Për këtë trembje mund të hamendësohet. Ndoshta Kryeministri është trembur sepse tani është i vetëdijshëm se lidhjet e tij me krimin janë jo vetëm të njohura nga qeveritë e huaja, por edhe po merren seriozisht prej tyre. Ndoshta ai mund të jetë i trembur sepse pas largimit të Tahirit nga kreu i ministrisë që kontrollon policinë, ai mund ta ketë shumë më të vështirë të kontrollojë elementët kriminalë që ndikojnë qeverisjen e tij.
Apo ndoshta Edi Rama mund të jetë i trembur sepse tani strategjia e tij për të manipuluar zgjedhjet nuk është aq e sigurtë sa më parë. Sikurse mund të jetë i trembur sepse tani kanabizimi i Shqipërisë dhe lidhja e interesave të fshatarëve kultivues me fatin e tij elektoral mund të mos jetë aq i mundshëm sa e kishte planifikuar me Saimir Tahirin në krye të policisë.
Cilado qoftë arsyeja, një gjë mund të thuhet me siguri: pushteti i Edi Ramës është sot në pikën e tij më të ulët dhe nuk ka gjasë që ky pushtet të ringrihet më, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme. Kompromentimi i tij ka arritur përmasa të pamenaxhueshme.
Ekonomia, opinioni publik dhe pothuajse të gjithë faktorët e tjerë me ndikim në politikë, përjashto krimin, tani punojnë në një mënyrë a një tjetër kundër tij. Koha tashmë punon kundër tij.