Numri i ankesave ndaj procedurave të tenderave e koncesioneve bërë nga institucionet publike është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2016.
Në raportin e përvitshëm të Komisionit të Prokurimit Publik, shkruhet se gjatë vitit 2016, janë regjistruar dhe marrë në shqyrtim nga KPP 1,393 ankesa në total, për prokurimet publike, koncesionet, lejet minerare dhe ankandet. Krahasuar me një vit më parë, numri i ankesave është rritur me rreth 20 për qind.
Disa nga pikat kryesore të raportit të Komisionit të Prokurimit Publik janë:
- Gjatë vitit 2016, janë publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik 5,109 procedura prokurimi në total. Për 714 nga këto procedura (rreth 14 për qind) janë regjistruar në total 1393 ankesa.
- 99,5 për qind e ankesave janë regjistruar për prokurimet publike, 0,4 për qind për ankandet dhe 0,1 për qind për koncesionet.
- Posta Shqiptare, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë janë instiucionet ndaj të cilave ka pasur më shumë ankesa, përkatësisht 85, 35 dhe 33 ankesa.
- Numrin më të lartë të ankesave e zënë ato në lidhje me procedurat e prokurimit për ofrimin e shërbimit privat të sigurisë fizike dhe shoqërimin e vlerave monetare, me total 844 ankesa nga 1393, pra 60.6 % e totalit të ankesave.
- Komisioni i Prokurimit Publik në shumë raste ka konstatuar paligjshmëri në veprimet apo mosveprimet e autoriteteve kontraktore. Në raste të caktuara KPP ka kërkuar edhe nisjen e hetimit administrativ nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik. Më saktësisht:
- Në 11 % të rasteve janë konstatuar shkelje të procedurave ligjore dhe është vendosur nga KPP anulimi i procedurës;
- Në 41 % të rasteve i është kërkuar autoritetit kontraktor të bëjë rivlerësimin e procedurës për shkak të shkeljeve të konstatuara në vlerësim dhe në procedurë;
- Në 8 % të rasteve janë konstatuar kritere diskriminuese dhe të pambështetura ligjërisht dhe për këtë arsye i është kërkuar autoriteteve kontraktore modifikimi i tyre.