Të gjithë të zhgënjyer me Bashën

Të gjithë të zhgënjyer me Bashën

Një pjesë e mirë e PD-së, kryesisht “garda” e vjetër e opozitës dhe qeverisjes 8 vjeçare Berisha, ka qënë përherë e pakënaqur me zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD-së. Këto pakënaqësi janë shtuar gjatë dy viteve të shkuara për shkak të mënyrës së drejtimit të opozitës nga Basha që për shumë figura të larta por edhe anëtarë të thjeshtë të PD-së është anemike dhe e paqartë.

Kohët e fundit, ndërsa rritet përditë perceptimi publik për dështimin e qeverisjes Rama, kritikat ndaj Bashës po bëhen më të forta dhe aftësia e Bashës për të krijuar një alternativë reale e të besueshme përballë mazhorancës aktuale aq më shumë po vihet në dyshim edhe nga figura jashtë PD-së.

Vetëm ditën e djeshme ka patur tre zëra të njohur publikë që kanë kritikuar hapur dhe ashpër, në pronocime të gjata publike, aftësinë udhëheqëse të Lulzim Bashës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, deputeti demokrat Eduart Selami, themelues dhe ish-Kryetar i PD-së, është shprehur se “udhëheqja e re e Partisë Demokratike, më ka zhgënjyer mua dhe pjesën më të madhe të partisë që duan ta shikojnë edhe një herë PD-në si parti e shpresës për shqiptarët”.

Selami ka deklaruar se ai dhe shumë të tjerë kanë patur shpresa të mëdha se përballë keqqeverisjes Rama-Meta, si një nga qeverisjet më të këqija që ka patur ndonjëherë vendi, Pd duhet të kishte ndjekur një drejtim tjetër, por Basha nuk ka mundur të ngjallë besim dhe shpresë në krye të PD-së.

Ndërsa Blendi Fevziu, në një artikull me titull “A ka kurajo Basha të bëjë opozitë?” e ka vënë theksin tek dështimi i Bashës për të krijuar një grup të ri dhe të aftë opozitarë. Ai thekson se i gjithë debati dhe aktiviteti publik i PD-së është përqëndruar në një grup shumë të voglë personash, kryesisht ish qeveritarë të periudhës 2005-2013 dhe disa të rinj të sjellë nga Basha në PD pas zgjedhjeve të vitit 2013. Sipas Fevziut, shumë potenciale ekzistuese në PD nuk po shfrytëzohen, ndërsa nuk po tërhiqen potenciale të reja.

“Ndaj ai duhet të zgjedhë të ndërtojë një grup që beson tek opozita dhe të ecë para, ose të vijojë një opozitë të gjatë, për të cilën do jetë përgjegjës vetëm ai,” është shprehur Fevziu.

Edhe më i ashpër ka qënë Mero Baze në një editorial të tijin. Problemin e Bashës ai nuk e sheh thjesht tek qëndrimet e tij, por tek ai vetë, e shkuara politike dhe personaliteti i tij. Sipas Bazes, Basha nuk mund të frymëzojë e as të ngjallë shpresë për shkak se mënyra e zgjedhjes së tij e bëri atë udhëheqës “të vdekur” që ditën që erdhi në krye të PD-së.

“Berisha u kujdes që Basha të shkonte në krye të partisë, por jo si një i zgjedhur dinjitoz dhe frymëzues, por si një i emëruar i tij. Në këtë mënyrë, Basha nuk u bë kryetar i PD si një shpresë për të ardhmen, por si një ngushëllim për ikjen e Berishës. Ai shikohej dhe shikohet gjerësisht si një kryetar dezhurn,” shprehet Baze.

Më tej, Baze arsyeton se në krye të PD-së Basha është kujdesur që të krijojë një kastë burokratike për t’u mbrojtur nga sulmet që mund t’i vinin nga brenda partisë prej të pakënaqurve.

Sipas tij, Basha është përpjekur të imitojë stilin e ashpër dhe akuzator të Berishës dhe jo të jetë vetvetja dhe të bëjë një opozitë moderne dhe të sinqertë. “Lulzim Basha nuk ka shumë për të bërë në opozitë, se për të bën plot punë qeveria. Ai ka rëndësi të jetë vetvetja, të jetë i qartë dhe të mos jetë i kapur nga klientelistët e gjithë pushteteve, të cilëve nuk u zë dot emrin në gojë dhe kur kërkon të bëjë sikur denoncon.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>