Gjykata e Colmarit në Francë, mëngjësin e sot, liroi nga akuzat për krime lufte ish-Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, duke hedhur poshtë kërkesën e Serbisë për ekstradim.
Ramush Haradinaj, i arrestuar që më 4 janar, por i liruar me kusht, e quajti vendimin e gjykatës “një fitore për gjithë shqiptarët”.
“Procedura u mbyll, është refuzuar kërkesa për ekstradim, që nga ku moment tani jam i lirë për tu kthyer. Janë humbur 4 muaj, koha është e çmueshme. Shqiptarët kanë fituar në këtë përballje”, deklaroi Zoti Haradinaj.
Zoti Haradinaj u arrestua më 4 janar në aeroportin e Basel-Mulhouse bazuar në një fletë arresti lëshuar nga Serbia në vitin 2004, ku akuzohet për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.
Gjatë procesit të gjykimit, gjykata e Colmarit e shtyu disa herë marrjen e vendimit duke i lënë më shumë kohë Serbisë për të dorëzuar dokumente shtesë.
Në vitin 2008, Zoti Haradinaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Hagës për akuzat e Serbisë për krime lufte ndaj popullsisë serbe.