Më 24 maj, televizioni ABC News njoftoi se Konfindustria shqiptare përmes një deklarate zyrtare i ka kërkuar qeverisë të vendosë masa shtrënguese për produktet dhe shërbimet italiane në vend. Kjo deklaratë vjen si kundërpërgjigje për masat shtrënguese të vendosura nga qeveria italiane për kompanitë e qendrave telefonike (call center) që veprojnë jashtë vendeve të BE-së.
Administratori i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, në deklaratën për shtyp, shprehet se “Ndalimi, me nismën e qeverisë italiane të importit të shërbimeve Call Center nga vende të treta, përfshi Shqipërinë, është në kundërshtim të plotë me parimet e tregtisë së lirë, rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe marreveshjeve të integrimit të Shqipërisë me BE”.
Kujtojmë se pak kohë më parë qeveria italiane miratoi ligjin, i cili e bënë praktikisht të pamundur zhvendosjen jashtë Italisë të qendrave telefonike, të cilat marrin ndihmë financiare nga shteti italian, në veçanti ato të voglat.
Por, Ligjet e Bashkimit Evropian nuk i lejojnë vendet anëtare të miratojnë ligje të cilat ndalojnë ushtrimin e një aktiviteti ose shërbimi në vende të tjera të BE-së. Për këtë arsye ligji italian dëmton vendet jo anëtare të BE-së, përfshi Shqipërinë, dhe përfitojnë vendet anëtare, si Rumania dhe Bullgaria, ku gjuha italiane është e përhapur mes të rinjve.