Kryeministri Edi Rama ka vendosur pezullimin e përkohshëm të prokurimeve publike për të gjitha institucionet qeveritare.
Me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave të datës 5 korrik, lajmërohet se asnjë ministri apo institucione të tjera nën varësi, nuk mund të nisin procedura të reja tenderimi apo të vijojnë procedurat në tenderimet që kanë nisur më parë e janë ende në proces.
Në VKM theksohet se “ përjashtohen nga ky rregull kontratat e nënshkruara para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe prokurimet me vlerë të vogël”, pa u përcaktuar limiti maksimal i “vlerës së vogël”.
Nuk dihet ende se për çfarë shkaqesh, Qeveria Rama ka vendosur pezullimin e prokurimeve publike. Ditët e fundit në media kanë qarkulluar akuza për tenderime nga ministrat teknikë apo nga ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim që pas pak javësh do të largohen nga detyra.