Kryeministri Rama, prej ditës së djeshme, ndodhet në Turqi për të marrë pjesë në Kongresin Botëror të Naftës që do të zhvillohet sot.
Zoti Rama dje u takua me Presidentin turk Erdogan, ku diskutuan mbi projektet mes dy vendeve, ndër të tjera dhe për aeroportin e Vlorës dhe linjën ajrore shqiptare.
“Në Stamboll për Kongresin Botëror të Naftës nesër. Sot në rezidencën e Presidentit Erdogan, ku sapo përfundoi takimi prej 90 minutash, mbi projektet e përbashkëta. Progres i qenësishëm për aeroportin e Vlorës dhe linjën ajrore shqiptare, me asistencën logjistike e teknike të Turkish Airlines,” shkruan kryeministri në Facebook.
Në fjalën e tij sot në Kongres, Kryeministri Rama tha se Shqipëria ka rezerva nafte që mund të shfrytëzohen:
“Në kontekstin e ri botëror, asnjë vend nuk mund të vazhdojë me agjendën e vet personale për të shfrytëzuar burimet e veta. Një prej qëllimeve të këtij Kongresi është të vijojmë të mundësojmë debate të nivelit të lartë për sigurinë e përbashkët energjetike.”
Në kongresin Botëror të Naftës, që do të zgjasë deri më 13 korrik, do të marrin pjesë rreth 50 ministra, 500 drejtues kompanish dhe rreth 6 mijë delegatë nga e gjithë bota.
Në këtë kongres merr pjesë dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson.
Sekretari Tillerson, njëkohësisht dhe drejtuesi ekzekutif i Exxon Mobil Corporation u nderua dje me çmimin “Dewhurst”, nderimi më i lartë i Këshillit Botëror të Naftës. Ky çmim i jepet Tillerson “për kontributin e jashtëzakonshëm në industrinë e naftës dhe të gazit.”