Shtatë zyrtarë nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve kanë ngritur një padi penale kundër Ministrit Mirela Karabina. Padia përfshin akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit fizik të punonjësve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Ministrja Karabina është një nga ministrat teknikë të propozuar nga PD si pjesë e marrëveshjes McAllister +.
Zyrtarët e ministrisë pretendojnë se Zonja Karabina ka ushtruar presion dhe ka intimiduar nëpunësit e MAS.
Vladimir Gjoni, drejtor i Sporteve, deklaroi se ministrja ka ushtruar, ndër të tjera, dhe dhunë fizike:
“Mirela Karabina ka intimiduar stafin e MAS. Ka pasur dhunë fizike ndaj punonjësve të MAS si dhe ministrja ka ushtruar stres në të gjithë institucionin. Po ashtu është penguar puna pasi ka pasur stres në gjithë ministrinë.”
Në një njoftim për shtyp, Ministria përgjigjet ndaj akuzave si më poshtë:
“Parregullsitë dhe situata antiligjore në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të deklaruara nga Ministri Mirela Karabina, që në javën e dytë në drejtim të këtij institucioni, po vërtetohen nga akti i prononcimit publik, këtë herë edhe nga disa punonjës së institucionit të MAS. Veprime të tilla dëshmojnë domosdoshmërinë urgjente të reformimit rrënjësor të administratës publike. Ftojmë institucionin e Prokurorisë të hetojë me seriozitetin më të madh këtë situatë absurde të krijuar në MAS.”