Për BE kush ka pak gjak grek ka më shumë të drejta se një shqiptar

Për BE kush ka pak gjak grek ka më shumë të drejta se një shqiptar

Këto katër vjet, qeveria Rama ka qeverisur në mënyrë arbitrar veçanërisht në fushën e ndërhyrjeve urbane.

Pa transparencë, pa informim dhe përfshirje të publikut në vendim-marrje, pa respektuar të drejtën e pronës dhe të drejtat e liritë e tjera themelore, qeveria Rama ka ndërmarrë me qindra projekte urbane pa bërë të ditur asnjë projekt dhe asnjë të dhënë tjetër.

Sheshi Skënderbej; stadiumi i ri kombëtar; dhjetëra sheshe në të gjithë vendin; hidrocentrale deri edhe në zona të mbrojtura natyrore si Vjosa, Thethi dhe Valbona; disa incineratorë për djegien e plehrave, ndërtesa shumëkatëshe nëpër parqe e qindra ndërtime e ndërhyrje të tjera me ndikim në mjedis janë miratuar dhe janë ndërtuar apo po ndërtohen pa përfillur as qytetarët dhe as ligjin.

Mbi të gjitha, asnjë projekt me ndikim në mjedis i ndërmarrë me leje apo direkt nga qeveria nuk ka respektuar Konventën Aarhus për pjesëmarrjen e publikut në vendim-marrje, një konvente ndërkombëtare që ka përparësi edhe mbi Kushtetutën tonë.

Në shumë raste, qindra e mijëra qytetarë kanë protestuar në rrugë kundër qeverisë për transparencë dhe për zbatim të ligjit, kanë nënshkruar peticione, u kanë shkruar ambasadave të huaja dhe institucioneve ndërkombëtare, por ata kanë mbetur të padëgjuar, të shpërfillur dhe të izoluar.

As mediat, as intelektualët, as organizatat mjedisore apo të të drejtave të njeriut, as organizatat ndërkombëtare, as donatorët, as partnerët e huaj apo përfaqësuesit e tyre në Tiranë nuk thanë asnjë fjalë, por vërejtën me shpërfillje dhunimin e ligjit, të të drejtave të qytetarëve, të natyrës dhe mjedisit nga qeveria Rama.

Në këtë shpërfillje masive, ra mbi të gjitha në sy heshtja e plotë e Ambasadores së BE-së Vlahutin, e cila ndonëse ka tre vjet që u bën propagandë shqiptarëve për drejtësi, ka treguar shpërfillje të plotë ndaj shkeljeve të përditshme të të drejtave të qytetarëve shqiptarë nga partneri i saj në reformë kryeministri Edi Rama.

Kjo indiferencë është edhe më e pashpjegueshme kur ndryshe nga çdo ambasador tjetër në Tiranë, një nga detyrat e saj kryesore është pikërisht mbikqyrja e zbatimit të ligjit, cilësia e qeverisjes dhe respektimi i parimeve demokratike në vend, si kushte për integrimin europian të vendit.

Por indiferenca e saj dhe e BE-së mori fund menjëherë sa u shkelën të drejtat e minoritarëve grekë, të vërtetë apo të pretenduar, në Himarë, në lidhje me ndërtimin e sheshit të qytetit, që parashikon prishjen e rreth 12 shtëpive private.

Banorët e prekur protestuan dhe qeveria greke ngriti alarmin për shkeljen e të drejtave të tyre. Menjëherë pas reagimit grek, Brukseli filloi trysninë direkte ndaj qeverisë Rama për të ndërprerë planet urbane në Himarë dhe për t’i ribërë të gjitha procedurat në përputhje me ligjin.

Pra, qeverisë i kërkohet të bëjë studimin e ndikimit në mjedis, të informojë banorët, të zhvillojë dëgjesa publike, të reflektojë vërejtjet me vend të qytetarëve.

Këto procedura, sipas ligjit, duhet të kryhen si për procesin e hartimit të master-planit ashtu edhe për miratimin dhe zbatimin e çdo ndërhyrje të veçantë në terren, në zbatim të masterplanit.

Duket se për BE pak gjak grek ka më shumë të drejta se 100 për qind gjak shqiptar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>