Bumi i betonizimit në Tiranë

Nga Jérôme André
Bumi i betonizimit në Tiranë

Sektori i ndërtimit po ecën shumë mirë në Shqipëri. Kjo është në thelb ajo që tregojnë të dhënat e fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave (INSTAT). Numri i lejeve të dhëna në gjysmën e parë të vitit 2017 tregon një rritje prej 82 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo rritje e fortë është vërejtur në qytetet e Tiranës, Vlorës, Dibrës, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës dhe Fierit, ndërsa trendi është i kundërt në Berat, Lezhë apo Kukës. Këto lejë ndërtimi, në 75 për qind të rastve janë për godina banimi.

Ritmi i këtij betonizimi ndihet veçanërisht më shumë në kryeqytet, pasi numri i lejeve të dhëna që nga fillimi i vitit 2017 është rritur me 183 për qind krahasuar me një vit më parë. Këto ndërtime të reja janë pjesë e planit të ri urbanistik për zgjerimin e qyteti, projekti i njohur si Masterplan Tirana 2030. Kështu banorët e kryeqytetit shqiptar do të shohin së shpejti blloqe të mëdha banimi dhe një kullë me më shumë se 35 kate që ngrihet mbi tokë. Shumë prej këtyre projekteve të reja të ndërtimit përfitojnë nga një taksim i favorshëm i bashkisë që ka drejtuar një pjesë të madhe të buxhetit të saj drejt këtij sektori.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2015, kryebashkiaku Erion Veliaj donte të dallonte veten nga paraardhësit e tij, duke premtuar se do t’i jepte fund dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë klienteliste. Sipas revistës Monitor, taksat e sektorit të ndërtimit përbëjnë mbi 50 për qind të buxhetit të përgjithshëm të qytetit për tremujorin e parë të vitit 2017, një rritje prej 2.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015.

Ky numër rekord i kantiereve të reja të ndëtimit nuk ka mbështetjen unanime të banorëve. Përtej akuzave të përsëritura të korrupsionit dhe mungesës së transparencës që rrethojnë shumë prej projekteve, shumë qytetarë të kryeqytetit janë shqetësuar për betonizimin e atyre pak hapësirave të gjelbra që lejojnë Tiranën të marrë frymë. Këtë verë pati disa demonstrata kundër privatizimit të një parku pranë Rrugës së Kavajës (zona e njohur si ish-Parku i Autobuzëve) , demostratë kjo që  u shtyp nga policia. Sot, është radha e qendrës së Tiranës të kërcënohet nga kantieret e reja të ndërtimeve.


Ky artikull është botuar më parë në Courrier des Balkans, në frengjisht. Përkthimi në shqip dhe botimi në Exit.al bëhet me lejen e autorit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>