Gjykata e Tiranës: Fitore për Artan Ramën dhe lirinë e shprehjes

Gjykata e Tiranës: Fitore për Artan Ramën dhe lirinë e shprehjes

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë për shpifje dhe cënim imazhi të kompanisë Edil Al-It ndaj publicistit, regjizorit dhe aktivistit Artan Rama, ndër të tjera autor dhe producenti i emisionit Publicus.

Sikurse u shpreh vetë Rama, vendimi është një ngjarje e rëndësishme për lirinë e shprehjes në vend:

Kjo është një fitore e fakteve ndaj gjuhës së urrejtjes dhe denigrimit. Kjo është një fitore e të vërtetës dhe e solidaritetit. Kjo është një fitore e një drejtësie të hapur; një mbështetje për të gjithë shoqërinë dhe për interesin e drejtë publik!

Në fund, përmes kërcënimeve, unë kuptova edhe një herë se liria e shprehjes është diçka për të cilën duhet luftuar ende…

Padia kishte domethënie të veçantë për faktin se objekt i saj ishin mendime të publikuara përmes një postimi në Facebook dhe jo në shtyp apo mediat elektronike. Për këtë arsye, vendimi i Gjykatës, nga njëra anë, është fitore jo thjesht për lirinë e medias, por për lirinë e shprehjes nga çdo kush, por nga ana tjetër është një thirrje për përgjegjësi në përdorimin e rrjeteve sociale.

Përfaqësuesit e kompanisë e paditën Artan Ramën në lidhje me një artikull-koment e tij të botuar në Facebook me titull Dritëhije në Sallën e Teatrit, duke kërkuar një dëmshpërblimin prej 15 milionë lekë për dëmin e shkaktuar.

Në shkrimin e tij, Rama argumentonte se, në nëntor të 2016, bashkimi i kompanive Edil Al-It dhe AgiKons kishin fituar përmes praktivave të dyshimta tenderin për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Ansamblit Kombëtar me vlerë 10 miliardë lekë. Rama sillte bëri publik faktin e do,umentuar se kompania fituese kishte detyrime të papaguara tatimore ndaj lejimi i pjesëmarrjes së saj në tender ishte i paligjshëm.

Përfaqësuesit e kompanisë e kundërshtuan këtë akuzë, duke pretenduar se dokumentet e sjella nga Rama  nuk kishin firmën e drejtorisë së tatimeve.

Kompania Edil Al-It është pjesë e grupit Edil-al, pronare e televizionit Vizion Plus ku transmetohej emisioni investigativ Publicus i Artan Ramës, të cilin pronarët e ndaluan papritur në tetor 2016, në prag të publikimit të një materiali mbi vdekjen tragjike të 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>