Dy ditë më parë, një zonjë nga Rrësheni ngriti shqetësimin përpara Kryeministrit Rama se në spitalin Onkologjik prej kohësh tashmë, mungojnë ilaçet kundër kancerit, kurim ky jetik për jetën e pacientëve.
Përgjigjia e Kryeministrit Rama kundër shqetësimit të zonjës ishte mungesa e fondeve dhe se shteti shqiptar nuk ka mundësi të paguajë:
“Kjo është një çështje e fondit dhe sigurisht që mundësitë tona nuk janë të pakufizuara. Bëhet fjalë për kura shumë të shtrenjta.”
Por duket se justifikimi i kryeministrit nuk qendron.
Kryeministri Rama shpenzon shuma të mëdha parash për kompanitë koncesionare, të cilat ende nuk kanë filluara punë.
Vetëm pak javë më parë, në 19 dhjetor 2017, nga buxheti i shtetit i janë dhënë rreth 820 mijë euro kompanisë që do të ndërtojë dhe menaxhojë inceneratorin e mbetjeve në Fier, punimet për të cilin nuk kanë nisur ende.
Për vitin 2017, kompania Integrated Technology Waste Treatment ka përfituar 5,8 milionë euro në total, pa nisur ende punimet.
Një tjetër rast është ai i kontrollit shëndetësor, check-up, kompania koncesionare e të cilit, është paguar pothuaj dyfish për një shërbim që e ka marrë vetëm gjysma e numrit të qytetarëve të parashikuar.
Sipas një investigimi të BIRN, gjatë vitit 2015, vetëm 244 mijë shqiptarë e morën këtë shërbim, ndërsa kontrata e mbajtur sekret nga qeveria sanksionon detyrimin e taksapaguesve për të paguar kontrollin e 475 mijë personave.