Dje Këshilli Bashkiak i Lezhës miratoi koncesionin për administrimin e parkingut për makina dhe autobuzët e turistëve tek Sheshi Gjergj Skenderbej.
Sheshi Skenderbej në Lezhë ka qënë ndër projektet e para të Rilindjes urbane. Sipas projekti u rregullua sheshi, lulishtja përballë Varrit të Skenderbeut, lulishtja përrreth lapidarit, rruga nga Lapidari drejt Lumit Drin dhe në fund ura mbi Drin.
Punimet u ndanë në disa faza. Ato filluan në dhjetor 2013 dhe përfunduan në gusht të vitit 2015. Vlera e përgjithshme e projektit ishte rreth 2, 2 milionë euro.
Sheshi u projektua si shesh pedonal nga një studio italiane me ndërhyrjen e kryebashkiakut Viktor Tusha. Projekti u zbatua nga një firmë ndërtimi shqiptare. Në punime u përdor për herë të parë që pas ndërtimit të trotuareve të Bulevardit të Tiranës, guri më i mirë në botë për shtrimin e rrugëve, i cili u shtrua nga specialistë shqiptarë të cilët prej vitesh e bëjnë këtë punë në Itali.
Në ndryshim nga projektet e tjera të Rilindjes Urbane, edhe pas më shumë se dy viteve, falë cilësisë së materialeve të përdorura, sheshi nuk ka ndryshuar, qendra e Lezhës është e zbukuruar me një shesh të përshtatshëm për të ecur, për tu takuar, pra për tu socializuar.
Por, duke qënë se sheshi është afër varrit të Skenderbeut, ai ngjall oreksin për përfitime: sipas Kryebashkiakut të ri demokrat Fran Frroku, sheshi, me shtrimin e tij monumental, duhet të përdoret për parkimin e makinave dhe autobuzave të turistëve dhe vizitorëve të varrit të Skenderbeut. Sipas tij, në vitin e Skenderbeut, turistët kanë nevojë për një parkim dinjitoz afër pikës turistike dhe mbi të gjitha për një parkim me pagesë.
Kështu, bulevardi madhështor i shtruar me gurin e famshëm, i denjë për ndonjë qytet tjetër, i projektuar për të përballuar kalimin e herëpashershëm të ndonjë makine, me siguri do të prishet nga autobuzët e rëndë dhe makinat. Sëbashku me prishjen e sheshit me gurë, do të prishen edhe stolat dhe bordurat me mermer të Karrarës.
E gjitha kjo bëhet me justifikimin për të lehtësuar turistët, me rezultatin e vetëm dëmtimin e biznese përrreth — turistët nuk do të kalojnë më përpara ndonjë dyqani — dhe shpërblimin e koncesionarit, i cili do të vëndosë tarifa të shtrenjta për parkimin.
Pa frikë, nëse shtrimi i sheshit do të prishet, koncesionari do të ketë detyrimin ta rregullojë, ndoshta duke i vendosur sipër gurit të shtrenjët një shtresë asfalti.
Kjo histori tregon se si projekti i rilindjes urbane u mendua dhe u kërkua duke iu referuar një Shqipërie imagjinare, e ndodhur vetëm në kokën e shefit, pa asnjë konsideratë për nevojat e vërteta shumë më modeste dhe të egra, të qytetarëve të saj, të cilët me siguri janë më shumë të interesuar për një parkim për tu administruar nga ndonjë mik se sa për një hapësirë të ndërtuar mirë për tu socializuar.
Pa e kuptuar, kryebashkiaku demokrat ka certifikuar falimentimin e Rilindjes Urbane, me një shpikje tjetër e qeverisë Rama, PPP-në, e cila funksionon si shpërblim për lakminë njerëzore.