Klement Balili, i njohur si “Eskobari i Ballkanit” dhe i shpallur në kërkim nga policia për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, vazhdon të kontrollojë trafikun e kokainës në Evropë.
Media gjermane Berliner Kurier, në një artikull të sajin, e lidh Balilin me një ngjarje kriminale të ndodhur në maj 2017 në Berlin. Persona të armatosur hynë në një lokal në Berlin dhe qëlluan 26 herë me armë. Objektivi i atentatit ishte një 34 vjeçar nga Kosova, por ai nuk u plagos.
Media gjermane shkruan se pas këtij atentati janë pazaret e kokainës të pazgjidhura mes bandës së Balilit dhe bandave kundërshtare. Në raportet e policisë, ngjarja përshkruhet si tentativë e Balilit për të shtrirë edhe më shumë “supremacinë në tregun evropian të lëndëve narkotike”.
Për ngjarjen në Berlin janë arrestuar 6 persona, por asnjëri prej tyre nuk ka bashkëpunuar me prokurorinë për të zbardhur të gjithë çështjen.
Artikulli thekson se Balili ka mbajtur poste të larta drejtuese në Ministrinë e Transporteve, megjithëse ai që prej vitit 2014 ishte nën vëzhgimin e Europol dhe DEA-s amerikane.
Klement Balili ka lidhje të drejtëpërdrejta me narko-bandat në Amerikën Jugore dhe është ai shkaktari kryesor se përse sot Shqipëria është “korridori kryesor evropian i kalimit të drograve të rënda”.