“Jam kryeministri i një vendi që e ka fshirë nga harta kanabisin!”
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një interviste, ditën e hënë me gazetaren Eni Vasili.
Kryeministri Rama, gjatë gjithë intervistës, nuk dha asnjë të dhënë apo rezultat konkret për të mbrojtur pretendimin e tij. Përkundrazi ai zgjodhi të akuzojë opozitën se po dëmton punën e policisë përmes sulmeve politike.
Ndërkohë, në realitet çdo ditë vazhdojnë të kapen qindra kilogramë kanabis.
Vetëm dje në Tepelenë janë sekuestuar 600 kilogramë kanabis. Ndërsa mëngjesin e sotëm policia italiane në bashkëpunim me atë shqiptare, kanë arrestuar 43 persona të përfshirë në transportin e drogës Shqipëri-Itali, mes të cilëve 20 shqiptarë dhe ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme kanabisi.
Edhe gjatë muajit shkurt një sasi rekord droge e kultivuar në Shqipëri është kapur si nga policia shqiptare, ashtu dhe nga ajo italiane dhe greke.
Gjatë shkurtit, policia shqiptare ka kapur 819 kilogramë kanabis, 616 kilogramë kokainë dhe 13,3 kilogramë heroine.
Ndërsa policia italiane ka kapur rreth 2 tonë kanabis, 7 kilogramë kokainë, 83 kilogramë heroine të ardhur dhe ajo greke 1071 kilogramë kanabis, të ardhur nga Shqipëria.