Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi Kryeministri Rama se ka braktisur sipërmarrësit e vegjël dhe po lejon oligarkët të grabisin Shqipërinë. Gjatë një takimi me sipërmarrësit e vegjël, që qeveria Rama tashmë i ka futur në skemën e TVSH-së, Basha shprehu mbështetjen e tij dhe të opozitës.
Zoti Basha lajmëroi dhe zhvillimin e një protestë kundër vendosjes së TVSH-së për biznesin e vogël. Qindra biznese të vogla, nesër në orën 11:00, do të ulin qepenat në shenjë proteste kundër vendimit të Qeverisë Rama.
Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Basha ishin:
Kemi qenë, jemi dhe do të jemi në krahun tuaj. Ngrihuni! Nuk ka rrugë tjetër. Fjalët e kanë humbur kuptimin, vetëm veprimi do të rikthejë shpresën në këtë vend.
Nuk na frikëson dot Edi Rama me hetuesi politike. Le të vijnë të më arrestojnë mua të parin. Nuk na arrestojnë do të gjithëve, mos kini frikë.
Kemi një grusht njërëzish që i grabit shumicës për t’ia dhënë pakicës. Për sa kohë që nuk i japim fund kësaj, rrokullisja do të vazhdojë.
Sa i përket biznesit të vogël, thirrja ime është kjo: Ngrihuni, refuzojini, ulni qepenat, bojkotojeni rritjen e TVSH-së me të gjitha format dhe mënyrat.
Futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së do të rrisë koston e biznesit të vogël. Do të çojë në falimentimin e mijëra bizneseve të vogla, për rrjedhojë do të rrisë papunësinë duke rritur çmimet për artikujt bazë dhe do të rrisë evazionin fiskal, pra dhe shteti nuk do të përfitojë.
Këtu ka një element politik i cili bashkon këto akte kriminale, TVSH-ja, taksa në rrugën e Kombit, shkatërrimi i teatrit kombëtar.
Ky kryeministër urren çdo gjë të pavarur, ndaj kërkon ta shkatërrojë biznesin e vogël, e do ta çojë xhiron e biznesit të vogel në një grusht oligarkësh që po shesin Shqipërinë.
Këto janë tipare të një regjimi kriminal. Kjo qeveri i grabit shumicës dhe i jep pakicës.