Sipas një sondazhi të kryer nga BERZH mbi sipërmarrësit e vendeve të ndryshme rezulton se në Shqipëri “një në dy sipërmarrës shprehen se marrëdhënia e mirë me politikën është një faktor thelbësor për ecurin e biznesit”.
Shqipëria klasifikohet në vendet e para, duke lënë pas maqedoninë dhe Bosnjën. 42 për qind e të intervistuarve shprehen se në Shqipëri duhet të kesh lidhje me politikën që të bësh biznes.
Exit.al ka shkruar shumë herë mbi mungesën e tregut të lirë në Shqipëri. Kemi analizuar klasifikimin e sipërmarrjeve të mëdha dhe më fitimprurëse, ku tregohet që në renditje nuk ekziston asnjë kompani që zhvillon aktivitet industrial, por vetëm kompani koncesionare të shtetit, që nga lojrat e fatit tek nxjerrja e mineraleve, duke kaluar tek kompanitë me pronësi shtetërore.
Është e dukshme që për të ushtruara këto biznese duhet mbështetje politike. Por kompanitë koncesionare, për llojin e biznesit që bëjnë, nuk janë shumë dhe fakti se përqindja e atyre që thonë se biznesi i tyre ka nevojë për politikën arrin në 42 për qind, do të thotë se për të bërë aktivitete të tjera jo formalisht të lidhura me administratën publike, duhet mbështetje politike.
Për ta thënë në një mënyrë më të thjeshtë dhe më direkte, kjo do të thotë se aktiviteti ekonomik nuk perceptohet si i lirë, por si i ndikuar nga politika. Ndryshe, kjo do të thotë se zbatimi i ligjeve dhe i vendimeve të shtetit është selektiv: për armiqtë zbatohen, ndërsa për miqtë jo.
Po ta shohim nga një këndvështrim tjetër, kjo do të thotë se vetëm miqtë e pushteti mund të bëjnë lekë, me të cilat, sigurisht që paguajnë rryshfetet, dhe kështu mund të vazhdojën të jenë miq të pushtetit, dhe rrethi mbyllet. Praktike apo jo?