Gunther Krichbaum: Nuk mjafton vetëm rekomandimi i KE-së për hapjen e negociatave

Gunther Krichbaum: Nuk mjafton vetëm rekomandimi i KE-së për hapjen e negociatave

Teksa në Shqipëri festohet rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, Kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestagun gjerman Gunther Krichbaum, deklaroi sot se “rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit, nuk është i mjaftueshëm.”

Gjatë një interviste për median gjermane Deutsche Welle, Zoti Krichbaum u shpreh:

“Shqipëria është kandidate, por ne do ta lexojmë me vëmendje raportin e progresit. Sepse nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit. Ne si Komision i Europës, por edhe unë personalisht dua të konsultoj edhe raportet e tjera për të marr këtë vendim, si për shembull raportin e Transparency International, raportin e World Bank dhe raporte të tjera ndërkombëtare.”

Gunther Krichbaum theksoi rëndësinë që ka për grupin parlamentar të partisë së Kancelares Merkel, CDU/CSU, përmbushja e kritereve kyçe që parlamenti gjerman kanë vënë në nëntorin e 2016,-ës kritere të cilat nuk përmendeshin në progres-raportin e publikuar nga KE.

“Ne, si grup parlamentar i  CDU-CSU, kemi formuluar në nëntorin e parvjetshëm pika shumë të qarta, dhe tani duam të dimë se sa janë plotësuar ato. Do të krahasojmë se sa ka ndryshuar situata nga nëntori i vitit 2016 deri në prill 2018 dhe vetëm nëse vërejmë se ka pasur përmirësime thelbësore, do të miratojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit.”

Kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së u shpreh se Shqipëria ka ende punë për të bërë dhe se duhet të ketë luftë më të vendosur ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe vendosmëri në ndërmarrjen e reformave ekonomike.

“Duhen implementuar reformat, sepse ato nuk bëhen për të na bërë ne në Berlin një favor, por reformat bëhen për të çuar përpara vendin. Ndaj unë pres në këtë drejtim një luftim më të vendosur të korrupsionit, të krimit të organizuar, sigurisht nevojiten edhe  reformat ekonomike,  kështu që ka ende shumë punë.”

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>