Brunilda Kasmi, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë, dha sot dorëheqjen. Nuk dihet ende shkaku i dorëheqjes, por lajmi është konfirmuar nga burime për gazetën Panorama nga presidenca.
Brunilda Kasmi do të kalonte së shpejti në procesin e vetingut pasi ishte pjesë e listës prioritare, duke qenë se kandidonte për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Në vitin 2016, Brunilda Kasmi u përfshi nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) në listën e zyrtarëve të lartë që kishin bërë deklarim të rremë të pasurisë. ILDKPKI madje regjistroi në prokurori hetim për “mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.
Brunilda Kasmi është e gjashta gjyqtare që dorëhiqet nga detyra përpara se të kalojë në procesin e vetingut. Pesë gjyqtarët e tjerë janë:
1.Mirela Fana – anëtare e Gjykatës së Lartë, kryetare e KED;
2.Ilir Pashaj – gjyqtar në Elbasan;
3.Drita Velaj – gjyqtare në Kukës;
4.Besnik Imeraj – anëtar i Gjykatës Kushtetuese;
5.Ilir Çeliku – gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë.
Ndërkohë, për më shumë për anëtarët e sistemit të drejtësisë të larguar që pas miratimit të reformës në drejtësi mund të lexoni këtu.