Burime të besueshme, të konfirmuara në mënyrë të pavarur nga Exit.al, kanë dëshmuar se të paktën në dy raste, personat që kryejnë hetimet në kuadër të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë paraqitur në shkollën e fëmijëve minorenë të së paku një gjyqtari dhe një prokurori, dhe kanë marrë në pyetje fëmijët e tyre mbi mënyrën e jetesës së familjes—në një rast madje duke kontrolluar fizikisht rrobat e trupit të fëmijëve për të verifikuar nëse ishin nga material i kushtueshëm ose i çmuar.
E gjitha kjo ka ndodhur pa informuar ose pa praninë e një familjari ose të paktën një të rrituri përgjegjës për mirëqenien e fëmijës, veçanërisht të ndonjë psikologu, për të shmangur tronditjen e fëmijës.
Kjo sjellje ka ngjallur frikë dhe ndrojtje tek personat nën vlerësim dhe familjarët e tyre, në pikën që nuk kanë dashur të reagojnë publikisht për të shmangur pasoja të mundshme në procesin e vetingut.
Një shembull për të treguar se alarmi është i vërtet, një kërkesë për informacion u dërgua pak ditë më parë nga Avokati i Popullit, për institucionet e vetingut, mbi respektimin e të drejatve të njeriut dhe fëmijëve. Por deri më sot pa përgjigje.
Është thjesht skandaloze që një procedurë kushtetuese me qëllim verifikimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për më tepër e kryer me mbështetjen dhe koordinimin e ekspertëve të huaj të drejtësisë, mund të kryhet me metodat më të këqija të policive politike dhe duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e fëmijëve.
Për më shumë, për të arritur një përfundim legjitim të vetingut nuk është e nevojshme të përqafohen këto lloj hetimesh, me rezultate krejtësisht të rastësishme, kur vërtetimet e pasurisë dhe historia e veprimeve të çdo gjykatësi apo prokurori mund të japin të dhëna dhe prova më të qëndrueshme dhe të besueshme.
Nëse është e kuptueshme dhe tashmë edhe e pranuar që verifikimet e vetingut sundojnë mbi të drejtën e privatësisë të një gjykatësi apo prokurori, marrja në pyetje e fëmijëve minorenë pa miratimin e një familjari ose një psikologu është tronditëse, mizore, e papranueshme dhe tërësisht e pajustifikueshme dhe në kundërshtim me ligjin numër 37/2017. Dhe nësë këto parashikime ligjore janë të domosdoshme për një minoren të përfshirë në një vepër penale, pavarësisht nga roli i tij, nëse është ekzekutori apo një dëshmitar i thjeshtë, atëherë një procedurë e tillë duhet të zbatohet edhe në rastin kur në pyetje merret një minoren i cili nuk është i përfshirë në krim por përdoret vetëm për të marrë informacion kundër familjarëve të tij.
Paradoksalisht miratimi i ligjit numër 18/2017 “mbi të drejtat e fëmijëve” është një nga pak vlerësimet pozitive që ka marrë qeveria shqiptare në Raportin e Komisionit Evropian mbi përparimin e Shqipërisë për hapjen e bisedimeve me BE-në.
Ndoshta të ashtuquajturit ekspertë ndërkombëtarë të ONM-së duhet të kuptojnë se ngjarje të tilla shprehin vullnetin e atyre që qeveria ka ngarkuar nga qeveria për të kryer vetingun për të krijuar një klimë presioni dhe kërcënimi mbi të gjithë trupën e gjykatësve dhe prokurorëve, për të arritur nënshtrimin e tyre ndaj pushtetit politik. Dhe mungesa e plotë e transparencës mbi mënyrat e hetimit të vetingut e rrit këtë perceptim.
Kjo nuk mund të jetë kurrsesi “drejtësia” që çon në Evropë.