Çështja Tahiri, prokurorët marrin sot në pyetje Moisi Habilajn e Nezar Seitin

Çështja Tahiri, prokurorët marrin sot në pyetje Moisi Habilajn e Nezar Seitin

Prokurorët e çështjes Tahiri-Habilaj, Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara  do të marrin sot në pyetje Moisi Habilaj, Nezar Seitin dhe Meridian Sulajn në Katania të Italisë.

Prokurorët do të pyesin tre anëtarët e bandës Habilaj, në lidhje me përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, gjatë kohës që ai mbante postin e ministrit të Brendshëm.

Moisi Habilaj, kushuri i ish-ministrit Tahiri, dhe Meridian Sulaj u arrestuan në Katania më 16 tetor 2017, si drejtues të një bande që në vitet e fundit ka trafikuar në Itali më shumë se 3,5 ton kanabis, armë kallashnikov dhe qindra armatime.

Nga prokuroria e Katanias dolën të dhëna se në këtë çështje është përfshirë dhe Saimir Tahiri, ish-ministrër Brendshëm, që gjatë kohës që mbante këtë post ka favorizuar dhe lehtësuar trafikun e lëndëve narkotike për bandën Habilaj.

Tre ditë pas arrestimeve në Itali, Nezar Seiti u arrestua gjatë një aksioni të policisë shqiptare në Babicë të Vlorës, ku u kapën 4,5 tonë kanabis.

Megjithëse Seiti, i njohur ndryshe si financier i bandës Habilaj, u arrestua dhe po hetohej në Shqipëri, kryeprokurorja e Përkohshme Marku lejoi, në shkelje të nenin 419 të Kodit të Procedurës Penale, ekstradimin e tij në Itali.

Largimi nga vendi i një prej të arrestuarve dhe dëshmitarëve kyç është një ndër ndërhyrjet më të rënda që Arta Marku ka bërë në çështjen Tahiri-Habilaj, në favor të ish-ministrit Tahiri.

Më pas, Arta Marku shkarkoi Besim Hajdarmatajn nga detyra si Kryeprokuror i Krimeve të Rënda në Tiranë dhe e kaloi atë në postin e prokurorit të thjeshtë. Gjithsesi deri më tani, çështja Tahiri vazhdon ende të hetohet nga Zoti Hajdarmataj.

Me kërkesë të prokurorisë, ish-ministri Tahiri u vendos në arrest shtëpie më 12 maj, nën akuzën për “ Trafikimin e narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal.

Vetëm dy ditë më parë, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, sërish në favor të Tahirit, hodhi poshtë kërkesën e porkurorisë për të ashpërsuar masën e sigurisë në “arrest me burg” dhe vendosi se Saimir Tahiri do të hetohet në liri.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>