Kompania Transoil Group AG – me aksionerë kompaninë ruse Gazprom Neft dhe atë serbe NIS, ka fituar tenderin e Ministrisë së Energjisë për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës në jug të vendit. Sipas dokumentave të bëra publike nga media BIRN, Ministria e Energjitikës e ka shpallur fituese kompaninë Transoil duke shkelur parimin e barazisë në tender dhe duke qënë në dijeni një konflikti të hapur interesi ndërmjet Albpetrol dhe kompanisë.
Sipas dokumentave të siguruara nga BIRN, kompania Transoil Group AG ka kryer një sërë shkeljesh dhe sipas një vlerësimi të drejtë ajo nuk duhet të ishte shpallur fituese e këtij tenderi.
Shkeljet e kompanisë:
Mosplotësimi i kushtit të tenderit i vendosur nga Albpetrol
Kompania nuk ka kryer pagesën prej 6500 dollarësh për çdo vend burim, kusht i vendosur nga Albpetrol Brenda datës së caktuar. Ajo i ka kryer pagesat 4 ditë më vonë se data e hapjes së ofertave. Pra, deri më datë 4 prill 2018 nuk ka pasur asgjë në llogarinë e Albpetrolit. Ky fakt mohohet nga Ministria e Energjitikës, e cila shprehet për BIRN se pagesa është kryer më 30 mars 2018.
Kompania figuron debitore ndaj Albpetrolit si në para ashtu edhe në naftë
Kompania Transoil Group Sh.a ka detyrime të mbartura ndaj Albpetrol për operacionet e saj të mëparshme në fushën e Visokës, si dhe ka pasur përplasje me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjes hidrokarbure.
Sipas Minsitrisë së Energjitikës komapnia i detyrohet Albpetrolit “6,699.92 ton naftë… ndërkohë, detyrimi në para për shërbime të ndryshme është 64.105.586 lek.” Megjithatë, ajo e justifikoi borxhin duke nënvizuar se kjo ishte një marrëdhënie tregtare midis Albpetrol dhe Transoil Group.
Konflikti i interesit ndërmjet Transoil dhe Albpetrol
Arsyeja, sipas BIRN, që Albpetrol nuk e ka bërë të ditur këtë fakt është sepse vëllai i drejtorit të Albpetrolit, Kastriot Bejtaj, gjatë periudhës së tenderit ka punuar drejtor teknik operacionesh i kompanisë Transoil Group Sha në fushën e Visokës deri më datë 1 prill 2018. Një konflikt interesi për të cilin ministri Gjiknuri ishte në dijeni.
Megjithatë, këto shkelje nuk e kanë ndaluar kompaninë mëmë të saj, Transoil Group AG, që të deklaronte në faqen e saj zyrtare se i kishte bërë një ofertë Albpetrolit për tre fushat e tjera naftëmbajtëse që në prill 2017 – duke shfaqur siguri se do të arrinte një marrëveshje me kompaninë shtetërore të naftës shqiptare deri në fund të vitit 2017.
Kush është Transoil Group sha:
Transoil Group e regjistruar në Zvicër dhe me pronarë të panjohur, administrohet në Shqipëri nga Shefqet Dizdari dhe ka lidhje biznesi me kompaninë Gazprom Neft në pronësi të gjigandit rus të prodhimit të gazit, Gazprom. Gazprom zotërohet në 50.23 për qind të aksioneve nga qeveria ruse.
Transoil Group AG është një kompani e themeluar në vitin 2011 në kantonin Zug të Zvicrës, me operacione në Rusi, Bjellorusi dhe Tiranë. Ajo është pronare e plotë e Transoil Group Sh.a, një kompani shqiptare e cila që nga viti 2011 shfrytëzon nëpërmjet një marrëveshjeje hidrokarbure me Albpetrol-in vendburimin e naftës në Visokë.
Ministria nuk i ka dhënë Birn-it informacion se kush ishin aksionerët e kompanisë zvicerane Transoil AG, por ka nënvizuar se ato nuk ishin Gazprom Neft ose NIS.
“Sipas të dhënave që disponojmë, asnjë nga kompanitë që ju përmendni nuk kanë të drejta mbi marrëveshjen hidrokarbure të Transoil Group me shtetin shqiptar,” shkruan ministria e Energjisë.
“Ndërkaq, është jashtë mundësive të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që të ketë informacion mbi transaksionet e mundshme tregtare të një kompanie me subjekte të tjera jashtë marrëdhënies në kuadër të marrëveshjes hidrokarbure,” shtoi ajo.
Tenderi i dyshimtë
Në shkurt 2018, Albpetrol hapi tenderin për tre fusha të lira nafte, Cakran-Mollaj, Gorisht-Cokul dhe Amonicë. Në tender morën pjesë 9 kompani hidrokarburesh si Bankers Petroleum, Transoil Group AG, Shandong Kerui Petroleum Equipment, Letho, Verssa Versatile, Pennine, Alcan, Fluid Oil dhe Zennith Energy.
Kompanitë Pennine dhe Zennith Energy janë skualifikuar sepse nuk kanë paguar tarifën prej 6500 dollarë për çdo vend burim të vendosur si kusht nga Albpetrol.
Me datë 9 maj, me urdhrin nr.495, ministri Damian Gjiknuri ka shpallur fitues të garës për tre vendburimet e naftës kompaninë Transoil Group AG dhe ka ngritur grupin negociator për lidhjen e marrëveshjes hidrokarbure me kompaninë.
Lidhja me rusët dhe serbët
Vendburimi i Amonicës më parë shfrytëzohej nga kompania Phoenix Petroleum Gas dhe vendburimet Cakran-Mollaj dhe Gorisht-Cokul nga kompania GBC Oil Company-një pasuese e Transatlantic Albania Ltd. Të dyja kompanive iu ndërpre kontrata në mënyrë të parakohshme për detyrime finnaciare dhe mos përmbushje të kontratës.
Pas lirimit të këtyre fushave naftëmbajtëse në prill 2017, Transoil Group AG bëri një kërkesë në ministrinë e Energjisë për t’i marrë ato në shfrytëzim. Në të njëjtë kohe, për këto vend burime paraqet kërkesë edhe një kompani e panjohur “Jurimex”.
Njësoj si në kompaninë Transoil Group, aksionerët e Jurimexi janë përfaqësuesi i Gazprom Neft dhe kompanisë NIS në Serbi —Gazpromi është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në Rusi. Nafta Industrija Srbje, shkurt NIS, është kompani serbe nafte dhe gazi, ku Gazprom Neft bleu 51 % të aksioneve në vitin 2012, pas një marrëveshje mes Rusisë dhe Serbisë me vlerë 400 milionë USD — dhe një tregtar austriak nafte.
Dizdari, administratori i kompanisë Transoli Group u ankua për ketë kompani pranë Gazpromit në Rusi. Ai, në një letër ankesë shkruan se të dy këta individë ‘pa sens ligjor’ kanë hyrë në një marrëveshje ligjore dhe besimi me Transoil Group, por gjithashtu janë përfshirë në një skenar të pistë pas krahëve, që kanë si qëllim futjen e Gazprom Neft në një mënyrë të kamufluar në Shqipëri.
Por, pavarësisht se Ministria miratoi kërkesën e kompanisë Jurimex për shfrytëzimin e tre vendburimeve të naftës, marrëveshja hidrokarbure nuk u realizua për shkak të akzuave në media si kompani e lidhur me rusët.