Ndërsa propaganda për sheshin Skënderbej, pas marrjes së një çmimi pa ndonjë rëndësi të madhe si hapësirë e përmirësuar urbane, ka arritur nivele qesharake, duket se të gjithëve u ka shpëtuar një detaj i rëndësishëm.
Nga autorësia e projektit është fshirë emri i Anri Salës, edhe pse ai ka qenë i paraqitur zyrtarisht si bashkëautor i projektit, së bashku me firmën belge 51N4E.
Bashkia e Tiranës u regjistrua për të kokuruar për Çmimin Europian për Hapësirë Urbane Publike duke e paraqitur projektin e rinovimit të Sheshit Skënderbej me autor të vetëm firmës belge. Si rezultat çmimi i është dhënë zyrtarisht firmës 51N4E dhe Bashksië Tiranë.
Në dorëzimin e çmimit u paraqit vetëm përfaqësuesi i studios projektuese dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Emri i Anri Salës nuk është përmendur në asnjë rast, as nga Veliaj, as nga 51N4E dhe as nga Kryeministri Rama i cili ka bërë një postim të posacëm në Facebook për çmimin dhe ka bërë komente publike.
E vetmja e cila e uroi Anri Salën ishte Galeria e famshme e artit Marian Goodman. Në profilin e saj në Twitter, Marian Goodman uron Anri Salën dhe 51N4E në cilësinë e hartuesit të projektit.
Në fakt, sikur ne kemi informuar në disa shkrime të mëparshme, projekti i Sheshit Skenderbej është paraqitur gjithmonë si i projektuar nga 51N4E dhe (apo në bashkëpunim me) Anri Salën.
Në të vërtet emri i Anri Salës nuk është përmendur nga Kryeministri Rama që në vitin 2016, kur ai mori pjesë në jurinë dhe në projektin e Shqipërisë për në Biennalen e Venecias dhe në ekspozitën e Edi Ramës në Galerinë e Arteve Marian Goodman.
Anri Sala është një nga artistët më të rëndësishëm të artit modern europian dhe, të paktën deri pak kohë më parë, një ndër njerëzit më të afërt të Kryeministrit Rama.
Në fillimet e saj, karriera e Anri Salës ka qenë ngushtësisht e lidhur dhe e sponsorizuar nga Edi Rama, por shpejt talenti i tij e bëri atë në një artist të rëndësishëm të artit modern europian.
Mbasi u bë i njohur, Anri Sala ka përdorur famën, lidhjet dhe pushtetin e tij në botën e artit për ta promovuar Ramën si një artist-politikan të madh, i cili po realizon ëndrrën e çdo artisti për të ndryshuar botën përmes artit, duke u përpjekur për ta shndërruar, kështu, zotin Rama në simbol e shembull për të gjithë artistët dhe intelektualët.
Në mënyrë më të rëndësishme, Sala i krijoi Ramës lidhje të shumta në qarqet e artit modern dhe arkitekturës europiane. Që në fillimet e tij deri apa 2-3 vjetësh, pothuaje në të gjitha ekspozimet, shfaqjet dhe botimet e tij, Anri Sala ka promovuar gjithmonë punimet artistike, kryesisht skicat, dhe arritjet e tjera të Ramës.
Ky lloj partneritet artistik i mbështetur mbi një miqësi të fortë duket sikur është zbehur së fundmi pasi Anri Sala dhe Edi Rama nuk kanë më asnjë bashkëpunim që pas Bienales se Venecias në vitin 2016.
Megjithatë, heqja e emrit të Anri Salës nga projekti mund të lidhet me një arsye më objektive. Projekti përfundimtar i sheshit, i realizuar nga Kryebashkiakut Veliaj në periudhën 2016-17, ka disa ndryshime të rëndësishme nga projekti i vitit 2008 i bashkëprojektuar nga Anri Sala.
Vincent van Gerven Oei ka shtjelluar në detaje këto ndryshime në një artikull të tij të mëparshëm, duke argumentuar se, pasi u bë kryeministër, Rama e ktheu projektin në një projekt ideologjik të regjimit të tij.
Van Gerven Oei shprehet se dallimi kryesor ndërmjet projektit origjinal të firmës 51NE4 dhe Anri Salës dhe projektit që u realizua është një komponent i qëllimshëm nacionalist që mungonte në projektin fillestar, përmes gurëve dhe bimësisë nga të gjitha trevat shqiptare.
Një ndryshim i dytë është futja e Parkut të Besimit për të mbështetur retorikën e kryeministrit Rama mbi unitetit e besimeve fetare në Shqipëri.
Ndryshimi i tretë është heqja e piramidës, e dy diagonaleve që kalojnë respektivisht, nga Xhamia e Et’hem Beut tek Muzeut Historik Kombëtar dhe nga Pallati i Kulturës tek Banka e Shqipërisë. Ndryshe nga kjo, në shesh ndodhet një sipërfaqe gri, monolite, që i ngjan një shkretëtire.
Pra, (Pan)Nacionalizmi i nënkuptuar shqiptar, supozimet mbi origjinën e rendit që pohohen në shtresën më rrasa guri dhe gjelbërimin, dhe katandisja e qytetarit nga një figurë vetë-lartësuese me një perspektive unike individuale në një kontur modeste që humbet në një hapësirë të paracaktuar ideologjikisht janë të gjitha tregues të asaj që ka ndryshuar nga 2008 në 2016.
Ndoshta, këto ndryshime mund të mos jenë pëlqyer apo miratuar nga Sala, i cili mund të ketë preferuar të heqë emrin e tij nga autorësia e projektit të rindërtimit të Sheshit Skënderbej.