Një nga përpjekjet e fundit të Bashkisë Tiranë dhe qeverisë shqiptare për të maskuar vjedhjen e tokës së Teatrit Kombëtar nga bizneset private përmes “një ligji të veçantë”, i cili shmang ligjet e prokurimeve publike, të shpronësimit dhe PPP-ve, është dërgimi në Barcelonë i një grupi gazetarësh të përzgjedhur nga mediat e afërta me qeverinë për të takuar arkitektin Bjarke Ingles, hartuesin e projektit të godinës së re të Teatrit.
Sikurse kemi raportuar më parë, BIG, kompania e arkitektit Ingels, ka deklaruar publikisht se ka fituar një tender për projektimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar përmes një “konkurimi publik”.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura të Exit.al, BIG nuk ka dhënë asnjë provë për ekzistencën e një konkursi të tillë dhe është justifikuar se me pohimin se ka firmosur një marërveshje për ruajtjen e konfidencialitetit me Bashkinë Tiranë. Për këtë arsye ajo na ka drejtuar tek duke na drejtuar tek Renato Kalemi, këshillar për median dhe komunikimin i kryebashkiakut dhe Denis Dedej, Drejtor i Informacionit po në Bashkinë Tiranë. Asnjëri prej tyre deri më tani nuk i është përgjigjur kërkesave tona të vazhdueshme mbi projektin.
Ndërsa Ministria e Kulturës, kërkesës të Exit.al për informacion të në lidhje me ndonjë konkurs të zhvilluar për përzgjedhjen e projektit të Teatrit Kombëtar iu përgjigjë më 11 Maj 2018, si më poshtë:
“Ministria nuk ka marrë asnjë masterplan apo detyrë hartimi dhe nuk po zhvillon asnjë procedurë tenderimi apo bashkëpunimi në lidhje me Teatrin Kombëtar. Për këtë arsye ne nuk kemi asnjë material nga ato të kërkuara nga ju.”
Përgjigja e Ministrisë është shumë domethënëse sepse në kohën kur dha përgjigjen e mësipërme, Ministria e Kulturës ishte duke hartuar “ligjin special”, i cili do të kthejë të gjithë tokat publike të zëna nga Teatri Kombëtar dhe disa godina të tjera, në truall për ndërtim për kompaninë Fusha shpk. Nëse duhet të besojmë Ministrinë e Kulturës, se ata e hartuan “ligjin special” pa iu referuar ndonjë masterplani të qeverisë për Teatrin Kombëtar, atëhere duhet të shqetësohemi shumë.
Fusha shpk, e cila ka përfituar një numër tenderash të dyshimtë nga qeveria, është në fakt institucioni që Bjarke Ingels ka listuar zyrtarisht si klient të saj për projektin, dhe jo bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës. Natyrisht, kjo është një gjetje shumë praktike për të shmangur zhbirimin publik të këtij projekti.
Në bisedën me gazetarët e dërguar në Barcelonë nga Bashkia Tiranë, Bjarke Ingels shprehet vazhdimisht se sa i mrekullueshëm është projekti i tij, dhe se si do të përfitojnë nga teatri i ri qyteti dhe jeta kulturore e tij.
Projekti fare mirë mund të jetë i mrekullueshëm, por thelbi i protestave të artistëve dhe zemërimit publik ndaj planit të qeverisë është mospërfillja absolute e zbatimit të ligjit në hartimin e këtij projekti, e cila tani po kulmon në një “ligj special” që do të vendosë një precedent ligjor për vjedhje pafund dhe të padëgjuar ndonjëherë të aseteve publike me mbështetjen e qeverisë.
Sipas raportimit të intervistës nga TV Klan, Ingels ka pohuar se skuadra e tij ka punuar “për një vit” mbi projektin—një vit të cilin ai e kaloi pa takuar asnjëherë palën kryesorë të këtij projekti: aktorët dhe drejtuesit e Teatrit Kombëtar.
Kjo shpërfillje duket ironike për një arkitekt, i cili ka shpallur botërisht se për të shoqëria dhe mjedisi kanë rëndësi parësore, dhe që ka bërë emër duke propaganduar këto parime që sot janë aq në modë.
Në fakt, Ingels e fshin realitetin e zymtë të zhvillimit kancerogjen urban të Tiranës, përmes zbatimit të pandërprerë të një “vizioni” maçist, alfa-mashkullor, të nxirë nga dielli. Por në fakt ai ëstë bërë një objekti i mërzitshëm dekori në një shfaqje që nuk e drejton ai. Ai është kooptuar në një skemë që Kryeministri Edi Rama e ka përdorur që nga vitin 2001: përdorimi i arkitektëve të famshëm, “starkitektëve”, si mjete propagande për të mbulaur politikat e tij grabitqare, kriminale.