Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë vendosur të mos marrin pjesë në seancën e fundit parlamentare për këtë sezon, në shenjë proteste për gjendjen “skandaloze” të sistemit të drejtësisë.
Sipas opozitës, maxhoranca socialiste e ka çuar në kolaps sistemin e drejtësisë, me një Gjykatë Kushtetuese të shkatërruar dhe një Gjykatë të Lartë të paralizuar.
Ndërkohë, institucionet e reja të parashikuara nga reforma në drejtësi, disa prej të cilave duhet të ishin formuar që në shkurt 2017, ende nuk janë ngritur për shkakt të procesit të ngadaltë të vetingut shkaktuar nga fillimi me vonesë i procesit dhe shkurtime të mëdha në buxhet, në masën prej 40 për qind miratuar nga qeveria në shtator 2017.
Ky boshllëk ligjor u përdor nga shumica socialiste për të emëruar në shkelje të Kushtetutës, Arta Markun si Prokurore të Përkohshme të Përgjithshme. Kjo e fundit, sërish në shkelje të Kushtetutës, ka urdhëruar shkarkime e emërime prokurorësh , një funksion për të cilin nuk ka status ligjor që ta kryejë.
Në rendin e ditës së seacën së sotme, ishin 10 projektligje, mes të cilëve dhe ndryshimet në ligjin për magjistratët e rinj që i jep të drejtën Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, të emërojnë gjyqtarët e prokurorët e rinj të dalë nga Shkolla e Magjistraturës. Këto ndryshime kërkojnë 84 vota që të miratohen, ndaj disa vota nga deputetët e opozitës janë të nevojshme.
Sipas PD-së dhe LSI-së, miratimi i këtij projekligji do të thotë de facto kapje e sistemit të drejtësisë nga qeveria socialiste, e cila ka emëruar Prokuroren Arta Marku dhe anëtarët e KLD-së, mes të cilëve është dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Kjo është hera e tretë që ndryshimet e ligjit futen në rend të ditës, por nuk arrijnë të miratohen.
Mosmiratimi i ligjit as në seancën e sotme do të thotë se asnjë student i ri nuk do të mund të regjistrohet në Shkollën e Magjistraturës në shtator, gjë që do të thotë se nuk do të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj pasi të ketë përfunduar vetingu, i një pjese të gjyqtarëve e prokurorëve.
Me fjalë të tjera, vendi mund të përballet me një rënie të mundshme të të gjithë sistemit të drejtësisë.
Kreu I PD-së Lulzim Basha vuri 7 kushte që qeveria duhet të plotësojë përpara se opozita të votojë pro ligjit të magjistratëve, ku ndër të tjera kërkon dhe tërheqjen e të gjithë ligjeve të paketës së reformës në drejtësi që është miratuar vetëm nga shumica socialiste.
Ndërkohë, shumica socialiste duket e vendosur për të mos bërë asnjë kompromis me opozitën. Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja. lidhur me këtë vendim të opozitës, deklaroi:
“Nuk ka kolapsim të sistemit të drejtësisë, por kolapsim të opozitës. Dialog me kushte për tu rikthyer në korrikun e 2016 për të zhbërë reformën në drejtësi dhe vettingun, nuk ka ka, harrojeni se nuk ka.”