Rumani, vazhdojnë protestat, qeveria nuk pranon të largohet

Rumani, vazhdojnë protestat, qeveria nuk pranon të largohet

Që prej 10 gushtit, protestat kundër qeverisë vazhdojnë në Rumani, jo vetëm në Bukuresht, por dhe në qytete të tjera.

Më shumë se 150 mijë rumunë po protestojnë në mënyrë të vazhdueshme kundër qeverisë dhe nismave ligjore të saj, që nxisin dhe justifikojnë korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

Megjithëse në protestën e së shtunës, më shumë se 450 persona u plagosën nga policia, kjo nuk i ndaloi qytetarët që të mblidhen sërish në sheshin Viktoria e të vazhdojnë protestën.

Tashmë protestuesve i janë bashkuar dhe mijëra rumunë që jetojnë jashtë vendit, e që janë kthyer në atdhe për të protestuar dhe rrëzuar qeverinë e socialdemokratëve dhe liderit të Partisë Social Demokrate (PSD) Liviu Dragnea.

Protestat, ndër më të mëdhat që nga rënia e komunizmit, kanë nisur që në shkurt 2017, por ditët e fundit janë përshkallëzuar shumë pas tentativave të qeverisë për të zbutur ligjet kundër korrupsionit dhe reformimit të sistemit të drejtësisë. Po ashtu, pak javë më parë, presidenti Klaus Iohannis lejoi shkarkimin e prokurores së antikorrupsionit që po hetonte disa dosje të politikanëve të rëndësishëm. Presioni i vazhdueshëm i qeverisë bëri që presindenti të miratojë shkarkimin e Laura Codruta Kovesit, veprim që revoltoi më shumë rumunët.

Nga këto ndryshime do të përfitojë Liviu Dragnea, lideri i Partisë Social Demokrate (PSD), në pushtet aktualisht. Ai është dhe Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Rumanisë, dhoma më e ulët e parlamentit rumun.

Liviu Dragnea është akuzuar për abuzim të  pushtet dhe korrupsion për një shumë prej rreth 26 mijë euro. Në qershor të vitit 2018, ai u dënua me tre vjet e gjysmë burg për shpërdorim detyre, por kjo nuk e largoi nga politika.

Protestat pritet të vazhdojnë teksa Partia Social Demokrate ka deklaruar se nuk i pranon thirrjet për largim nga qeveria dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>