Ministri italian i Punëve të Brendshme Matteo Salvini, pavarësisht kundërshtisë së BE-së, ka vendosur të dërgojë 20 refugjatë nga Eritrea në Shqipëri. Gjatë një mbledhje në Padova, ditën e premte të organizuar nga partia e tij Lega, Salvini u shpreh se:
Në 20 vitet e fundit ne u mësuam me faktin se nga Shqipëria vinin emigrant për në Itali. Për herë të parë pas 20 viteve, ne arritëm të dërgonim 20 emigrantë nga Italia në Shqipëri. Por Evropës nuk i pëlqen. Evropa tha jo. BE tha se ne mund të dërgojmë emignatë në Shqipëri, në marrëveshje me qeverinë shqiptare, vetëm nëse emigrantët janë dakord të shkojnë atje.
Teorikisht, këto njerëz po largohen nga lufta, por kur ato vijnë këtu duhet të zgjedhin se në çfarë hoteli duan të qendrojnë. Nëse Shqipëria i mirëpret ato, ato do të shkojnë në Shqipëri, pikë.
Nëse Brukseli është dakord me këtë, ne do ta bëjnë. Nëse Brukseli nuk bie dakord, ne sërish do ta bëjmë.
Më 29 gusht, zëdhënësja e Komisionit Europian Natasha Bertaud deklaroi se azilkërkuesit nga Eritrea nuk mund të dërgohen në një vend të tretë pa dëshirën e tyre. Ajo u shpreh se:
Për shpërndarjen e refugjatëve në rast të një marrëveshje dypalëshe ndërmjet një vendi anëtar të BE-së dhe një vendi të tretë, si Shqipëria, është i domosdoshëm konsensusi i vetë refugjatëve për të plotësuar aplikimin për azil drejt një vendi tjetër që nuk është vendi i tyre i mbërritjes.
Legjislacioni i BE-së është i qartë në këtë rast. Pra, ne duhet të kërkojmë dakordësinë e personave, pavarësisht nëse ato janë ose jo azilkërkues. Në këtë kuadër, ka dy ligje evropiane.
Në veçanti direktivat mbi procedurat e azilit parashikojnë se nëse dikush aplikon për azil në një vend të BE-së, ne duhet t’i japim atij akses në Procedurat e aplikimit për azil në këtë vend të BE-së. Më pas mund të aplikohen procedurat e riatdhesimit.
Duket se marrëveshja, përpjekja e radhës për të fituar mbështetjen e qeverisë së re italiane, e Kryeministrit Rama me Salvinin për të strehuar 20 emigrantë eritreanë nga Italia ka shkaktuar një konflikt ndërmjet Komisionit Europian dhe Italisë.
Për më shumë, ajo tregon qartë se në dallim nga aspiratat e tij, Kryeministri Rama është ende i paaftë të kuptojë parimet ligjore themelore të Bashkimit Evropian dhe konceptin e zbatimit të ligjit.