Gjyqtari Ardian Dvorani kaloi vetingun megjithëse Inspektoriati i Deklarimit të Pasurisë dhe DSIK vlerësoi se gjyqtari ka fshehur pasurinë dhe ai nuk mundi të justifikojë pasurinë as para KPK-së.
Është një nga vendimet më skandaloze të procesit të vetingut deri më tani, i cili krijon dyshime serioze për korruptimin e komisionit të vetingut.
Për komisionerët Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Firdes Shuli nuk kanë qenë problem as 80 mijë euro para fillimisht të padeklaruara, as sigurimi i një apartamenti pa kontratë dhe akt formal sigurimi, as dhurimi i pajustifikuar nga një kompani private, as qëndrimi në kundërshtim me Kushtetutën për më shumë se katër vjet në detyrë, as sugjerimi i ILDKPI-së për shkarkimin e tij dhe as të paktën 8 ankesa serioze nga qytetarë për gjykime të njëanshme.
Përballë këtyre problemeve, komisionerët zgjodhën të mos ndërmarrin asnjë hetim të paanshëm dhe serioz, por, përkundrazi, ata hartuan një raport, i cili rreket të justifikojë me argumenta qesharakë, pa konsiderata ligjore, pasurinë dhe veprimet e Dvoranit.
Raporti dhe vendimi i KPK-së për konfirmimin e Dvoranit vënë seriozisht në diskutim objektivitetin dhe profesionalizmin të supozuar të procesit të vetingut, dhe, në rastin konkret, lënë të dyshosh për korruptim apo ndikim të paligjshëm të anëtarëve të komisioneve të vetingut.
Më poshtë, Exit.al po sjell problemet kryesore të konstatuara me pasurinë dhe veprimet e Dvoranit, të nxjerra nga raporti i KPK-së dhe i ILDKPI-së.
1. Sigurimi në mënyrë të dyshimtë i një apartamenti
Ardian Dvorani deklaron se në vitin 2001 se ai ka përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 120 metra katrorë, paguar nga Albetelkom sha, ku ai shërbente si anëtar i Bordit Mbikqyrës të kompanisë, në atë kohë, shtetërore.
Apartamenti është blerë nga Albtelekom, përmes një kontrate sipërmarrje, nga një firmë ndërtimi. Por në kontratën ndërmjet Albtelekom dhe firmës së ndërtimt saktësohet se apartamenti kishte sipërfaqe 93 metra katrorë dhe me vlerë maksimale 34 mijë euro.
Ndërkohë apartamenti i deklaruar nga Dvorani si i marrë nga Albtelkom është 120 metra katrorë. Për më tepër midis Albtelekomit dhe Dvoranit nuk është firmosur asnjë kontratë shitje, ose një kontratë e thjeshtë kalimi. Sipas hipotekës së Tiranës, Dvorani nuk është as pronar i ligjshëm i apartamentit, pasi nuk e ka regjistruar atë në emër të tij.
Justifikimi i Dvoranit është se ai e ka përfituar apartamentin nga skema lehtësuese e strehimit për punonjësit e Albtelekom në periudhën kur ai ka qënë anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Albtelekom. Ai deklaron se në vitin 2004 ka filluar të paguajë këstet e shlyrjes së apartamentit pranë Albtelekom.
Por në vitin 2013, Albtelekom, tashmë i privatizuar, ka vendosur t’ia falë Dvoranit shumën ende të papaguar me vlerë rreth 17 mijë dollarë, nga 34 mijë dollarë vlera totale e apartamentit.
Dvorani nuk jep ndonjë arsye pse Albetelom vendosi t’ja falë. Ai gjithashtu nuk ka arritur të justifikojë se pse ai ka përfituar një apartament me sipërfaqe 120 metra katrorë, kur kontrata e Albtelekomit me ndërtuesin është bërë për apartament me sipërfaqe 93 metra katrorë.
KPK, në mënyrë skandaloze, justifikoi mospërputhejn e sipërfaqeve me pohimin se ta kanë zbuluar se “ka qenë vullneti i Albtelekomit për t’ja shtuar sipërfaqen e banesës” Dvoranit. Është e paqartë se si KPK ka arritur të zbulojë “vullnetin” e një ndërmarrjeje publike dhe krejtësisht antiligjore që nuk mbështetet në vendime, procedura apo dëshmi dokumentare që vërtetojnë rritjen e siëprfaqes.
Nga ana tjetër, Dvroani nuk ka shpjeguar se si është e mundur që një kompani shtetërore i ka kaluar atij një apartament pa asnjë kontratë apo akt tjetër juridik, sikurse as ai dhe as KPK nuk kanë arritur të sjellin ndonjë informacion se si një kompani shtetërore ka lidhur kontrata me një ndërtues për apartamente për një anëtar të Këshillit Mbikqyrës, pa asnjë procedurë formale prokurorimi.
Po ashtu Dvorani nuk shpjegon as faktin që nuk e ka regjistruar në hipotekë apartamentin.
Por për këto boshllëqe apo gjendje të dyshmitë, KPK nuk ka shprehur ndonjë shqetësim.
2. Mos deklarimi i rreth 80 mijë euro gjendje në llogari bankare familjare
Në vetë deklarimin për vetingun më 31.01.2017, Dvorani dhe familjarët e tij—bashkëshortja, djali dhe prindërit—nuk kanë deklaruar një shumë prej 9,9 milionë lekë (afërsisht 80 mijë euro) në llogaritë e tyre bankare.
Këtë mosdeklarim ai e ka justifikuar se kishte harruar të dorëzonte fletët e deklaratave. Por, edhe pasi ai i dorëzoi fletët e munguara, informacioni i përfshirë në to përmbante vetëm gjendjen e fundit të llogarive dhe jo gjithë ecurinë e llogarive që nga momenti i krijimit, sikurse kërkohet ligjërisht, pra deklarimin e shtesave ose pakësimeve të gjendjes së llogarive në çdo vit përkatës të periudhës së mbuluar.
KPK shkruan, sërish në mënyrë qesharake, se subjekti nuk ka pasur “asnjë lloj motivi dhe qëllimi për fshehje pasurie, duke reflektuar një qëndrim kritik ndaj vetes për këtë pakujdesi, si dhe duke argumentuar ndërkohë mungesën totale të fshehjes së pasurisë (likuiditetet e padeklaruara)”. Në vendim, KPK nuk mban asnjë qëndrim lidhur me faktin se Dvorani ka raportuar vetëm shumën totale të parave, pa raportuar asnjë shtesë apo pakësim.
KPK nuk e ka quajtur shkelje këtë deklarim të cunguar edhe pse të paktën në një rast tjetër (shiko më poshtë) ajo e ka quajtur shkelje që ka kontribuar në moskualifikimin e një subjekti tjetër.
3. Qendrimi në detyrë përtej mandatit kushtetues
Ardjan Dvorani u zgjodh anëtar i Gjykatës së Lartë në 17 shkurt 2005 për një mandat 9 vjeçar. Mandati i tij përfundoi më datë 17 shkurt 2014, por edhe pse kanë kaluar më shumë se katër vjet nga kjo kohë, Dvorani vijon të ushtrojë detyrën dhe të japë gjykime, me justifikimin se ai ka të drejtë të qëndrojë deri sa të emërohet pasuesi i tij.
Në vitin 2016, 35 deputetë të Kuvendit i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të shprehej mbi përfundimin e mandatit të Dvoranit. Në qershor 2016, Gjykata Kushtetuese, me vendimin 55, e shpalli antikushtetues atë pikë të ligjit që lejonte qëndrimin në detyrë pas mbarimit të mandatit të një anëtari të Gjykatës së Lartë derisa ai të zëvendësohej.
Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyri në fuqi më 12 gusht, kur ai u botua në Fletoren Zyrtare, dy ditë pas pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kushtetutës, të cilat e kishin hequr farë nenin e vazhdimit të mandatit deri në zevendësim, por që nga ana tjetër në dispozitat tranzitore lejonin qëndrimin në detyrë të anëtarëve ekzistues të Gjykatës së Lartë deri në zëvendësimin e tyre.
Edhe pse rasti i tij ishte i pastër—ndryshimet kushtetuese e gjetën Dvoranin në detyrë për shkak të justifikimit të tij me një interpretim ligjor që gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë—Dvorani ka vazhduar të qëndrojë në detyrë, duke vendosur kështu një precedent botëror, duke shërbyer mbi katër vjet pas mbarimit të mandatit.
KPK, edhe pse duhet të vlerësonte integritetin profesional të Dvoranit, e injoroi krejtësisht mbajtjen antikushtetuese nga Dvorani të postit të anëtarit të Gjykatës së Lartë.
I gjithë ky qendrim i KPK-së bie në kontrast të plotë me qëndrimin e saj në një rast tjetër, atë të prokurorit të apelit të Tiranës Gentian Trenova, i cili u shkarkua nga KPK disa javë para rikonfirmimit të Dvoranit.
Parregullsitë e mëposhtme, me të cilat u argumentua shkarkimi i Trenovës duken asgjë para parregullsive që KPK i quajti të pranueshme në rastin e Dvoranit:
1. “Pasurinë e vetme që zotëronte, një shtëpi banimi, me vlerë 20 mijë euro, burimi i financimit kredi e marrë në bankën Alpha Bank, e kishte kaluar në emër të prindërve për të marrë këta të fundit një kredi” duke e përdorur shtëpinë si kolateral. Kalimi i apartamentit tek prindërit ishte bërë me kontratë të rregullt dhurimi përpara noteres. Por ky veprim është konsideruar nga KPK si kontratë fiktive dhe e paregullt.
2. Gjithashtu, Trenova nuk ka arritur të justifikonte me fatura shpenzimet në shumën prej 800 mijë lekë kursime të ligjshme gjatë ceremonisë së tij të martesës në vitin 2007.
3. KPK ka quajtur shkelje pagesën e një bilete udhëtimi në Milano me vlerë 300 euro, e cila ndonëse është paguar nga institucioni i tij nuk është konsideruar si udhëtim pune.
Është e vështirë të besosh se një standard i tillë i dyfishtë është i rastësishëm dhe jo i paracaktuar për të favorizuar dikë dhe për të djegur dikë tjetër. Cilido qoftë motivimi është e qartë se ai përbën korruptim të paanshmërisë dhe ndershmërisë së procesit të vetingut.