Ka kaluar ca kohë nga hera e fundit kur një ish politikan “i njohur ndërkombëtarisht” nxori nga pena e tij fjalë boshe dhe të pabaza lëvduese për Kryeministrin Edi Rama.
Javën e shkuar, nderin që t’i thurte himn qeverisë Rama (dhe disa fjalë miqësore për kryebashkiakun-kone Erion Veliaj) e pati ish-Ministri venezuelian i Planifikimit dhe Drejtori aktual i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar (CID) pranë Shkollës së Qeverisjes Kenedi në Harvard, Rikardo Hauzman (Ricardo Hausmann).
Me këtë veprim, ai i është bashkuar ekipit të shkëlqyer të lajkatarëve të çliruar nga faktet të Ramës, ku bëjnë pjesë ish Ministri francez i Punëve të Jashtme Bernard Kushner (Bernard Kuchner), i cili e ka quajtur Kryeministrin Rama “një nga udhëheqësit politikë më të sofistikuar të Europës”, dhe ish strategu i laburistëve të rinj britanikë Alister Kembëll (Alistair Campbell), i cili e ka quajtur Ramën “lojtar” dhe “fitues”.
Në këtë listë bën pjesë edhe një tjetër nxënës i Toni Blerit, ish Ministri britanik për Çështjet e Europës dhe mashtuesi i dënuar Denis Mekshein (Dennis MacShane), i cili e ka përshkruar Ramën si shpresën e social-demokracisë në Evropë.
Hauzman ka qenë Ministër i Planifikimit në qeverinë e Presidentit venezuelian Karlos Andres Perez, i cili u akuzua më 31 gusht 1993 për përvetësim të 250 milionë bolivarëve, vepër për të cilën u dënua në vitin 1996 me 28 muaj burg. Prandaj, duket se ai është në shoqëri të mirë.
Përfshirja e Hauzman me Ramën daton që në vitet e para të qeverisjes së tij. Në qershor 2013, ende pa e marrë detyrën pas fitores së zgjedhjeve Rama e ftoi Hauzmanin në Tiranë për të ndihmuar në “ndryshimet me të cilat do të përballej qeveria sapo ai të merrte detyrën”.
Rezultati i këtij takimi ishte një projekt 2-vjeçar, i financuar nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur i Xhorxh Sorosit, për “të mbështetur rritjen ekonomike të Shqipërisë”, i titulluar “ Forcimi i Institucioneve dhe Diversifikimi Ekonomik i Shqipërisë”, i cili u zgjat përtej vitit 2017.
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama u përpoq të ndihmonte ambiciet e fjetura politike të Hausmanit në Venezuelë kur, më 16 korrik 2017, Rama postoi një mesazh krejt të pazakontë në gjuhën spanjolle në Twitter në lidhje me referendumin e mbajtur më 17 korrik, në Venezuelë, kundër Presidentit Nicolas Manduro, duke ndërhyrë hapur në politikën e brendshme të një vendi të huaj. (Hauzman e ka ripostuar mesazin duke shtuar komentin e tij: “Faleminderit, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për solidarizimin tuaj me Lirinë dhe Demokracinë në Venezuelë dhe votën e sotme 16 Korrik”.)
Mbetet mister për të gjithë se çfarë ndikimi mendoi se mund të kishte Kryeministri i Shqipërisë në politikën venezueliane, por, megjithatë, rëndësi ka përpjekja!
Vetëm shtatë muaj më parë, në mars 2018, Fondacioni për Shoqërinë e Hapur financoi vazhdimin e projektit të Hauzmanit me një shumë prej 1 milionë dollarë, duke e çuar financimin total nga Soros që prej viti 2013 në të paktën $2,5 milionë. Ky projekt është ende duke u zbatuar. Duhet theksuar se Rama është ish-anëtar i bordit të Fondacionit për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri.
Ndaj nuk është fare e habitshme që në opinonin e fundit të Hauzmanit me titull “Mrekullia shqiptare”, ai trumbeton suksesin e plotë të reformave ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Megjithatë, në artikull ai nuk e zbulon faktin se kjo e ashtuquajtur “mrekulli” është arritur edhe me kontributin e tij të paguar nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur.
Njësoj si Kembëll përpara tij, Hauzman në fakt merr përfitime monetare personale duke e portretizuar Ramën si sukses, dhe po njësoj si Kembëll ai e fsheh këtë gjë nga publiku.
Në një artikull pasues, ne do të çmontojmë një nga një pohimet e Hauzmanit për ekonominë shqiptare.