Si mori “hak” Erion Veliaj ndaj kundërshtarëve të rritjes së çmimit të ujit

Si mori “hak” Erion Veliaj ndaj kundërshtarëve të rritjes së çmimit të ujit

Më 26 korrik 2017, Këshilli Bashkiak Tiranë miratoi rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me rreth 40 për qind.

Vendimi, siç e kemi shpjeguar më parë ishte i paligjshëm, dhe u kundërshtua nga qytetarët përmes protestave, para se projekt-vendimi të miratohej, por dhe gjatë mbledhjes së KB-së ku u miratua rritja e çmimit të ujit.

Një grup qytetarësh i dërguan dhe një letër Këshillit Bashkiak ku argumentonin se për se rritja e çmimit të ujit nuk ishte zgjidhje për problemet ekonomike të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë.

Opozita po ashtu e kundërshtoi rritjen e çmimit të ujit. Në votimin e 26 korrikut, këshilltarët e PD dhe LSI bojkotuan mbledhjen dhe nuk morën pjesë në votim.

Të gjitha këtyrë kundërshtimeve Kryebashkiaku Veliaj iu përgjigj me një deklaratë:

“Unë nuk dorëzohem. Ta di që e gjithë qenëria e Tiranës të më vihet pas, unë për një gjë që është e drejtë dhe që është shpëtim për këtë qytet, unë nuk i ndahem.”

E në të vërtetë, Kryebashkiaku Veliaj nuk u dorëzua, por mori ‘hak’ ndaj atyre që e kundërshtuan dhe tregoi se nëse proteston dhe kundërshton vendimet e tij, hetohesh dhe dënohesh. Kështu:

Më 28 korrik, dy ditë pas miratimit të vendimit, ndaj tre organizatorëve të protestës para bashkisë së Tiranës, nisi procedimi penal. Nën hetim u vu dhe një grua shtatzënë.

Në njoftimin zyrtar të policisë, thuhej se protestuesit kanë nxitur turmën për veprime të dhunshme, por ajo që u pa, ishte një protestë krejt paqësore e qytetarëve të cilët kundërshtuan rritjen e çmimit të ujit të pijshëm dhe nuk u dëgjua asnjë thirrje për dhunë.

Më 2 janar 2018, Kryebashkiaku Veliaj paditi këshilltarin demokrat Akil Kraja për “cënim të nderit dhe dinjitetit të paditësit duke dhënë deklarata të pavërteta, si dhe duke e fyer atë si dhe duke i cënuar paditësit reputacionin dhe personalitetin”.

Sipas Veliajt, Kraja kur ka deklaruar se “rritja [e çmimit të ujit] është e pajustifikuar dhe të gjitha të dhënat tregojnë se është një aferë e madhe korruptive për privatizimine ujësjellës kanalizime, UKT-së”, në fakt ka “turbulluar gjëndjen shpirtërore” të kryebashkiakut.

Gjyqtarja Regleta Panajoti, -që aktualisht kandidon për të qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese,  më 23 tetor, vendosi në favor të Kryebashkiakut Veliaj dhe dënoi këshilltarin Kraja me 250 mijë lek për akuzën e shpifjes ndaj kryebashkiakut Veliaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>