“Nuk ka negociata, kërkojmë zgjidhje të menjëhershme të kërkesave tona!”
Kjo ishte përgjigja e bashkuar e studentëve që po protestojnë prej ditësh, ndaj ftesave të Kryeministrit Rama dhe ministres së arsimit Nikolla.
Kryeministri Rama, pak ditë pasi i quajti studentët “ngelës”, i ftoi sot ata për të diskutuar nga afër, për një zgjidhje të mundshme të kërkesave të tyre. Më anë të një videoje në Facebook, Rama u shpreh:
“Një përshëndetje për studentët që sot janë në rrugë. Uroj që që të kenë dëshirën jo vetëm për të protestuar, por edhe vullnetin për të dialoguar. Në rrugë dilet për të kërkuar vëmendjen e vendimmarrësve për shqetësimet që keni. Ndërsa shqetësimi adresohet përmes dialogut me vendimmarrësit. Kam shumë dëshirë t’i dëgjoj, ballë për ballë, pa censurë për opinionin publik, pa drejtues, pa administratorë, pa pedagogë. Pra studentët e zgjedhur prej vetë protestuesve si të duan dhe kë të duan, pa asnjë filtër partiak apo administrativ.”
Ndërsa Zonja Nikolla, pasi njoftoi studentët se ka adresuar disa prej kërkesave të tyre, i ftoi ata për diskutim:
“Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit është e hapur dhe e gatshme për të diskutuar në institucione, sipas çdo formati të propozuar nga ju të gjitha çështjet e ngritura.”
Studentët edhe sot i kanë qendruar besnikë deklaratave të tyrë të bëra që në fillim të protestës, katër ditë më parë: nuk pranojnë të negociiojnë me qeverinë, por kërkojnë miratim të plotë të kërkesave të tyre të cilat janë:
Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila parashikon pagesë ekstra për çdo provim të përsëritur;
– Përgjysmim i tarifave të studimeve;
– Përmirësim i kushteve të konvikteve;
– Të ketë një përfaqësues të studentëve në bordin e universiteteve.
– Paisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019;
– Rritja e buxhetit për arsimin me 8 për qind të GDP-së, buxheti për vitin 2019;
– Reduktimi tarifës me 30 për qind për vitin akademik 2018 – 2019;
– Reduktimi tarifes me 50 për qind për vitin akademik 2019 – 2020;
– Arsim publik falas për vitin akademik 2020 – 2021;
– Përmirësimi i kushteve të konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës;
– Mbështetja e aktiviteteve dhe projekteve të studentëve me një fond të veçantë, nivel fakulteti;
– Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore;
– Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor;
– Rritja nga 10 për qind në 40 për qind e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor, dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20 për qind.