Pas përzgjedhjes në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) të prokurorëve Gentjan Osmani dhe Antoneta Sevdari, të cilët ende presin vendimin e Këshillit të Posaçëm të Apelimit (KPA) për tu konfirmuar përfundimisht në detyrë, Exit.al pyeti Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit nëse dy prokurorët mund të shkarkohen nga KLP-ja, në rast se KPA vendos për shkarkimin e tyre.
Zgjidhja e kësaj çështjeje është bërë veçanërisht e rëndësishme tani që KPA shkarkoi kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, i cili ishte emëruar dhe si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Shkarkimi i Dedes krijon në KED-in e vitit 2019 një boshllëk që nuk mund të plotësohet.
Sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit:
“Nëse mandati i një prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ndërpritet për çfarëdo arsye, do të zbatohen rregullat e zakonshme. […] Të dy inperstitucionet (KLP dhe KPA) po veprojnë në kuadër të mandatit të tyre ligjor përkatës. KPA-ja nuk është e lidhur me vendimet e KLP-së. Në këtë drejtim, një vendim i KPA-së për një anëtar të KLP-dsë nuk ndryshon nga vendimi për ndonjë anëtar tjetër.”
“Rregullat e zakonshme” të cilat i referohet ONM-ja janë neni 149/c pika 2 e Kushtetutës, e cila parashikon shkarkimin e anëtarëve të KLP-së për “kryerjen e sjelljes së rëndë profesionale ose etike”. Mesa duket shkarkimi i prokurorëve nga KPA-ja përfshihet në këtë kategori. Megjithatë, sipas kushtetutës, anëtarët e KLP-së mund të shkarkohen vetëm me “vendim të Gjykatës Kushtetuese”.
Meqë sipas Kushtetutës në nenin 179/b pika 5, KPA-ja është një organ “pranë Gjykatës Kushtetuese” dhe konsiderohet si një “dhomë” e GjK-së, ka kuptim që një vendim i KPA-së të trajtohet si vendim i Gjykatës Kushtetuese, meqë kjo e fundit aktualisht ka mbetur vetëm më një anëtar.
Gjithsesi, ndërkohë që KPA-ja shqyrton dhe merr vendime përfundimtare për anëtarët e KLP-së, kjo e fundit do të fillojë të ushtrojë funksionet e veta, ku përfshihet emërimi i një Prokurori të ri të Përgjithshëm, formimin e Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Megjithatë, ONM u shpreh se shkarkimi i një anëtari të KLP-së nuk ka fuqi prapravepruese dhe nuk prek vendimet e mëparshme të KLP-së: “Një vendim shkarkimi (nga KPA) nuk ka efekt prapaveprues në lidhje me vendimet e mëparshme (të KLP-së)”.
Me fjalë të tjera, dëmi mund të jetë bërë tashmë.