Partia Demokratike paralajmëroi sot se qeveria Rama e ka paracaktuar kompaninë fituese të tenderit për lotin e parë të Unazës së Madhe. Ky tender po zhvillohet për herë të dytë pas skandalit me kompaninë guackë DH Albania.
Drejtuesja e departamentit antikorrupsion në PD, Lealba Pelinku, gjatë një deklarate për shtyp, u shpreh:
“Kompania “Gjoka Konstruksion” është paracaktuar të shpallet fituese e një tenderi të manipuluar përmes kritereve shumë specifike dhe të pakapshme nga shumica dërrmuese e kompanive të ndërtimit.
Askush nuk ka më dyshim se Edi Rama është ai që ka urdhëruar këtë projekt të zhvatjes së shqiptarëve, 20 milionë euro për 2.3 kilometra.
Nuk shpjegohet ndryshe këmbëngulja e tij për të çuar 18 milionë euro një herë tek kompania fantazmë, e regjistruar në parajsë fiskale, dhe tani tek kompania, e cila është ndër përfituesit e parë të megaprojektit hajdut “Shqipëria 1 miliardë euro”, nëpërmjet të cilit pastrohen paratë e korrupsionit.”
Kompania Gjoka Konstruksion ka përfituar nga qeveria Rama dhe koncesionin e Rrugës së Arbrit, e cila ka nisur të ndërtohet në tetor 2018. Kostoja totale e projektit, pjesë e paketës “1 miliardë dollar”, shkon në 250 milionë euro, nga të cilat 190 milionë euro do të investohen nga kompania dhe 60 milionë euro nga shteti.
Kompania Gjoka do të mbledhë edhe taksë e kalimit prej 4 eurosh për çdo kalim të automjeteve në rrugën e Arbrit.