Vetingu, kryeprokurori i Apelit Vlorë konfirmohet në detyrë, pavarësisht problemeve me pasurinë

Vetingu, kryeprokurori i Apelit Vlorë konfirmohet në detyrë, pavarësisht problemeve me pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë kryeprokurorin e Apelit Vlorë, Altin Binaj, megjithëse iu gjetën një sërë problemesh me pasurinë.

Gjatë seancës dëgjimore, zhvilluar më 21 janar, KPK gjeti probleme me deklarimet e pasurisë së prokurorit për tre vite: 2008, 2011 dhe 2013.

Në vitin 2008, prokurori Binaj, ka shpenzuar 15 mijë euro për zyrën e avokatisë së bashkëshortes. Në vitin 2011, ka paguar për shkollimin e fëmijëve, ndërsa në vitin 2013 ka shpenzuar 600 mijë lekë për të mobiluar shtëpinë në Orikum. Për të treja këto pagesa, sipas KPK-së, prokurori nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare.

Altin Binaj i kundërshtoi gjetjet e KPK-së duke thënë se në deklarimet e të ardhurave të së shoqes, me profesion avokate, zyra e tatimeve nuk ka dhënë informacion të saktë. Sipas Binajt, e shoqja ka punuar si avokate prej vitesh dhe e justifikon shpenzimin prej 15 mijë eurosh. Ai kërkoi që kontraditat dhe gabimet e tatimeve të konsideroheshin në favor të tij, pasi ishin bërë nga një institucion shtetëror.

Për shpenzimet e vitit 2011, Binaj tha se ato ishin bërë me para të tërhequra më herët nga llogaria bankare e pagës. Binaj tha se kishte tërhequr rreth 1.2 milion në vitin 2010, por këto para nuk ishin përdorur për qëllimin që ishin tërhequr në atë kohë dhe më pas ishin përdorur për shkollimin e fëmijëve.

Ndërsa për shpenzimet e vitit 2013, prokurori u shpreh se ka pasur keqkuptim mes deklarimeve të tij dhe KPK-së. Këto shpenzime nuk ishin bërë të gjitha në vitin 2013, por “për disa vite me radhë sipas nevojave që ishin paraqitur në shtëpi”.

Për këto arsye, Binaj, kërkoi të mos merreshin parasysh pretendimet e KPK-së dhe ai të konfirmohej në detyrë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>