Agjencia Europiane për Ruajtjen e Kufirit dhe Bregdetit, Frontex ka lidhur marrëveshje me Shqipërinë për vendosjen e policëve të BE-së në kufijtë e vendit tone, me qëllim luftën ndaj emigracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar.
Marrëveshja u firmos më 5 tetor 2018 nga Ministri i Brendshëm i Austrisë Herbert Kockl dhe Komisioneri për Emigracionin, Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos dhe nga ish-Ministri Brendshëm Fatmir Xhafaj. Ajo u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë javën e kaluar.
Kjo marrëveshje është një masë e re për përmirësimin e kontrollit të kufijve të jashtëm të BE-së, pas fluksit të madh të emigrantëve të paligjshëm në vendet e BE-së.
Sipas marrëveshjes, Frontex do të zhvillojë operacione të përbashkëta me policinë shqiptare, me qëllim rritjen e kontrolleve në kufi. Gjithashtu, Frontex do të koordinojë operacione ndërmjet vendeve anëtare të BE-së dhe Shqipërisë për menaxhimin e kufijve të këtyre vendeve.
Ata do të kenë kompetencat dhe detyrat e Policisë Kufitare dhe të Migracionit të parashikuara në ligjin shqiptar “Për Policinë Kufitare”. Në ushtrimin e detyrës së tyre ata do të shoqërohen nga një roje kufitare ose përfaqësues tjetër i policisë shqiptare.
Në raste të jashtëzakonshme marrëveshja parashikon se këta agjentë mund të veprojnë në emër të Shqipërisë për të përmbushur detyrat e tyre. Pra, në këto raste punonjësit e Frontex-it do të marrin kompetencat e policisë shqiptare, duke vepruar në emër dhe për llogari të shtetit shqiptar.
Gjithashtu, ata do të kenë të drejtën të ndërhyjnë dhe të përpunojnë të dhënat personale. Sipas nenit 9 të marrëveshjes, shteti shqiptar mund t’i lejojë agjentët të përpunojnë dhe transferojnë të dhënat personale të individëve për të përmbushur detyrat e tyre.
Agjentët në ushtrim të kompetencave mund të përdorin armë të ndryshme, të cilat lejohen në vendet e tyre të origjinës dhe gjithashtu gëzojnë imunitet të plotë nga ligji shqiptar.
Bashkimi Evropian kërkoi praninë e Frontex-it në Shqipëri që në vitin 2017, kohë kur vendi ynë u kthye në një vend-kalimi për emigrantët e paligjshëm të kombësive të ndryshme që donin të kalonin në Evropë, por dhe në vend-burim për shumë azilkërkues shqiptarë në vendet e BE-së.