Deklaratat e PE-së kundër PD-së në 2019 si dy pika uji me ato kundër PS-së në 2009

Deklaratat e PE-së kundër PD-së në 2019 si dy pika uji me ato kundër PS-së në 2009

Zgjedhjet e qershorit janë monitoruar dhe vlerësuar nga komuniteti ndërkombëtar (OSBE/ODIHR-i) se kanë përmbushur pjesën më të madhe të standardeve të OSBE-së.

Kur është bërë kjo deklaratë e PE-së, në vitin 2009 apo në 2019? Në vitin 2009.

Një grup europarlamentarësh kanë mbajtur qëndrime kritike ndaj lënies së mandateve nga opozita. Ky fakt ka ngjallur reagime pro dhe kundër, veçanërisht zhgënjim tek ata që kërkojnë largimin e kryeministrit Rama për shkak të sundimit të tij autokratik, korrupsionit të skajshëm dhe lidhjeve të qeverisë së tij me krimin, përfshi bashkëpunimin me bandat kriminale për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017.

Por, sado zhgënjyese që mund të jenë për ta qëndrimet e europarlamentarëve, ato janë të paktën të qëndrueshme në kohë, sikurse tregojnë shembujt në vijim në Exit.al. Po kështu janë edhe veprimet e opozitave shqiptare: pavarësisht kohës, pavarësisht krahëve politikë, ato ngjajnë si dy pika uji.

Pikërisht, ndoshta ky fakt mund të shpjegojë pse të huajt janë kaq të ashpër ndaj çdo qëndrimi jashtë-institucional të opozitave shqiptare: faktin se ato kërkojnë standarde kur janë në opozitë, por i shkelin ato kur vijnë në pushtet.

Në qershor 2009, menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, Partia Socialiste vendosi të mos i njihte ato, duke pretenduar manipulimin e numërimit të votave. PS bojkotoi Kuvendin dhe pas disa muajsh filloi një grevë urie në një një çadër të ngritur në bulevardin përpara Kryeministrisë. Kryesocialisti Edi Rama i la afat 10 ditë Kryeministrit Sali Berisha për hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave.

Mosnjohja e zgjedhjeve, bojkoti i Kuvendit dhe ultimatumet arbitrare të Edi Ramës u dënuan ashpër nga deputetët e Parlamentit Europian. Më poshtë një përmbledhje e disa deklaratave kryesore të tyre në atë kohë.

Në 26 nëntor 2009, në rezolutën e tij për zgjerim të BE-së, Parlamenti Europian i bëri thirrje opozitës për të mos bojkotuar Parlamentin dhe për të kryer detyrën, për të përfaqësuar votuesit e saj në Parlament.

Në shkurt 2010, Kreu i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, në një deklaratë zyrtare u shpreh se opozita duhet t’i japë fund bojkotit. Ai tha:

Zgjedhjet e qershorit janë monitoruar dhe vlerësuar nga komuniteti ndërkombëtar (OSBE/ODIHR-i) se kanë përmbushur pjesën më të madhe të standardeve të OSBE-së.

 Të gjithë liderët politikë të Shqipërisë t’i japin fund ngërçit politik, të frenojnë bojkotin e Parlamentit dhe të ecin përpara me reformat e nevojshme dhe axhendën e integrimit evropian.

Presidentit i Komisionit për çështjet e jashtme të Parlamentit Evropian, Gabriele Albertini në një deklaratë për shtyp u shpreh se:

Kërkesa e Partisë Socialiste shqiptare për të rihapur kutitë e votimit e për të rinumëruar votat për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 nuk mund dhe nuk duhet të pranohet. 

E shohim me vend t’i kujtojmë z. Edi Rama, Kryetar i Partisë Socialiste shqiptare, që bojkoti i punimeve të Parlamentit të vendit të tyre nuk do të sjellë asnjë avantazh, as për opozitën e tij politike dhe as për popullin.

Kreu i grupit të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul në deklaratë për median theksoi se:

Partia Socialiste në Shqipëri duhet të njohë zgjedhjet dhe se kërkesa për hapjen e kutive tashmë është rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor.

Mendoj se Partia Socialiste duhet të respektojë vendimin e gjykatës. Kërkesa për hapjen e kutive është rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor. Parlamenti Evropian ka hartuar rezolutë, ku është shprehur kundër bojkotit.

Koordinatori i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, Elmar Brok tha se:

Në zgjedhjet e qershorit në Shqipëri nuk kishte manipulim, ndaj PS të respektojë rezolutën e PE-së. Raportet e ndërkombëtarëve kanë bërë të ditur se në zgjedhjet e 28 qershorit nuk ka pasur manipulime.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Evropën Juglindore, Eduard Kukan tha se:

Ne gjithashtu theksojmë se situata e qëndrueshme dhe transparente politike luan një rol vital në procesin e implementimit të MSA-së dhe liberalizmin e vizave. Ne do të donim të theksonim se vazhdimi i kësaj situate politike ka një ndikim negativ në ambiciet evropiane të popullit shqiptar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>