Ndërsa opozita po proteston kundër kapjes së shtetit, korrupsionit dhe prirjeve autoritare që po rriten në Ballkanin Perëndimor, në Serbi, Malin e Zi dhe Shqipëri, qeveria shqiptare vazhdon t’i mëshojë rrëfenjës se protestat e opozitës në fakt janë kundra reformës në drejtësi.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla pohoi në një intervistë për Al Jazeera-ën se “protesta e opozitës nuk është kundra nesh, ato nuk kanë asgjë kundra nesh. Ato kanë çdo gjë kundra reformës në drejtësi dhe institucioneve të reja të drejtësisë.”
Duke parë mbulimin mediatik ndërkombëtar të protestës nga media të tilla si The Guardian dhe Al Jazeera, të krijohet ideja se ky rrëfim zor se po zë vend.
Kjo narrativë ka shumë pak besueshmëri, sepse është qeveria socialiste e kryeministrit Rama ajo që ka përfituar më shumë nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese, e cila bëri të pamundur gjykimin e kushtetueshmërisë së emërimit vetëm me votat e shumicës socialiste të Arta Markut si Kryeprokurore e përkohshme, krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë me anëtarë të pavetuar, si dhe për miratimin e ligjit special për prishjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar.
Në të njëjtën kohë, çështjet e bëra kapicë nga mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë, që kanë arritur në më shumë se 30 mijë dosje, përmbajnë shumë raste të çështjeve të pronësisë kundër qeverisë, e cila ka shpronësuar prona private me një ritmë të paparë më parë.
Për më tepër, me dorëzimin e mandateve nga opozita, vetëm deputetët socialistë përfitojnë nga imuniteti parlamentar i përforcuar para pak kohësh për t’u mbrojtur nga hetimet e mundshme në të ardhmen të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion (SPAK).
Në fakt, arsyeshëm mund të pretendohet se me lënien e mandateve dhe bashkë me të të imunitetit parlamentar, opozita po shpreh besim në institucionet e reja të drejtësisë.
Në themel të argumentit të qeverisë qendron një pretendim i rëndësishëm: pikërisht që fusha e shakrkimeve të shkaktuara nga reforma në drejtësi ishte e papritur. Me fjalë të tjera, ata nuk e prisnin se reforma do të shkrinte fare Gjykatën Kushtetuese dhe shkatërronte Gjykatën e Lartë, si dhe do të bënte kërdinë në sistemin e prokurorisë.
Ky është një argument që padyshim u shkon shumë përshtat burokratëve të BE-së të cilët e sugjeruan dhe e hartuan këtë legjislacion të dështuar që solli këtë gjendje. Ishte shefja e Misionit NDërkombëtar të Monitorimit (ONM) Genoveva Ruiz Calavera ajo që në 2017 deklaroi se : “unë jam e bindur se shumë gjyqtarë dhe prokurorë do të kalojnë vetingun pa vështirësi, dhe unë nuk dua të damkos të gjithë sistemin e drejtësisë, ku ka shumë profesionista të mirë. Por në të njëjtën kohë, ne do të jemi në gjendje të dallojmë “mollët e kalbura”.
Nga të dhënat e vetingut deri më tani duket se 50 për qind e mollëve ishin “të kalbura”, përfshirë të gjithë gjyqtariët e Gjykatës Kushtetuese, hiq njërin. Edhe Taulant Balla shprehu habinë e tij: “ajo çfarë na kapi në befasi ishte se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk e kaluan vetingun si pasojë e mosjustifikimit të pasurisë së tyre.”
Habia e socialistëve për pasojat e reformës në drejtësi është njëkohësisht e pasinqertë dhe e nevojshme. Është e pasinqertë sepse të gjithë magjistratët u shkarkuan bazuar në deklarimet e tyre të pasurisë, të cilat publikohen çdo vit nga ILDKPKI-ja. Por nuk ka patur asnjëherë vullnet politik për t’i dhënë fuqi ILDKPKI-së për të vepruar mbi gjetjet e tyre.
Në çastin që paketa e reformës në drejtësi ia dha këtë mundësi ILDKPKI-së, duke i bërë raportet e saj pjesë të rëndësishme të procesit të vetingut, duhet të kishte qenë e thjeshtë të verifikohej se shumë magjistratë do të shkarkoheshin bazuar vetëm në deklarimin e pasurisë—duke e parashikuar kaosin e tanishëm dhe duke marrë masat për ta zbutur atë.
Nga ana tjetër, habia e Ballës ishte e nevojshme: Nëse Balla nuk do të ishte habitur, kjo do të thoshte se Partia Socialiste e dinte që më përpara se reforma në drejtësi do të pengonte shtetin e së drejtës, dhe ajo do ta zbatonte atë pikërisht në atë mënyrë që të përfitonte sa më shumë vetë nga boshllëku ligjor.
Në fakt, duket se kështu ka ndodhur pas habisë së parë, pasi qeveria e ka përdorur si armë shumicën e saj parlamentare dhe mungesën e mekanzimave ligjorë të kontrollit të pushtetit të saj për të miratuar ligje dhe politika që në rrethana të tjera do të ishin ndaluar.
Të bie, gjithashtu, në sy që qeveria ka zgjedhur Ballën për të bërë këtë deklaratë. Vetë Balla u akuzua nga opozita si person i përfshirë në vjedhjen e votave në bashkëpunim me grupet kriminale, një akuzë e cila padyshim duhet të hetohet nga SPAK, por që Balla tani ka imunitet ndaj këtij hetimi…