Mijëra qytetarë po protestojnë sot përpara godinës së Kryeministrisë, në mbështetje të protestës së thirrur nga opozita.
Gjatë fjalës së Kryetarit të opozitës Basha, protestuesit hodhën shashka në drejtim të derës së Kryeministrisë. Ndërsa, policia e largoi turmën duke hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.
Kryetari i opozitës Basha vazhdimisht i bëri thirrje qytetarëve të mos sulmojnë policinë. Ai tha se asnjë nga protestuesit nuk duhet të prekë policët.
“Mos sulmoni policinë. Beteja jonë është e lidhur me krimin, me qeverinë e krimit. Beteja jonë nuk do të përfundojë. Asnjë s’ka ardhur të lëndojë apo të prekë vëllezërit e motrat me uniformë, qëllimi për një mesazh të prerë e final kryebandit Edi Ramës, dhe mesazhi për të është : Rama ik. Le të vazhdojmë qëndresën tonë protestën tonë, misionin tonë nuk ka forcë që e ndal”, tha Basha.
Basha shtoi edhe se “këtë betejë nuk e bëjmë për pushtet, për parti për karrige, nuk e bëjmë për mandate, mandatet tona ishin të pastra nga krimi e droga por ne ia kthyem qytetarëve sepse nuk do të ketë më parlament fasade e zgjedhje false”.
Gjithashtu, kundër dhunës ndaj policisë dhe institucioneve reagoi edhe Presidenti Meta, i cili përmes një njoftimi për shtyp i “kërkojë të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”.
Më herët edhe Ambasada e SHBA-ve bëri thirrje për një protestë paqësore. Në një njoftim për shtyp Ambasada e SHBA-së shkruan se “të sigurohet një protestë paqësore dhe konstruktive. Në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës kompromentohet. Është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës”.
Opozita thirri dje një proteste kombëtare përpara godinës së Kryeminsitrisë duke filluar nga ora 18:30. Qeveria rrethoi sot që në mëngjes të gjithë qendrën e Tiranës, zonën rreth Kryeministrisë dhe ndaloi qarkullimin e automjeteve.