Së fundmi, bashkë me një përditësim të vogël të faqes online, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit botoi një raport statistikor, i cili mbulon një periudhë kohore, arbitrare, nga 8 shkurti 2018 deri në 30 prill 2019.
Është e paqartë nga raporti se përse janë zgjedhur këto data, por një periudhë prej 14 muajsh e 12 ditësh nuk duket një periudhë kohore e përshtatshme për përmbledhje statistikash. Raporti i radhës i bie të mbulojë periudhën 1 maj 2019 deri më 13 korrik 2020?
Të dhënat e paraqitura në raport japin një pamje të zymtë të procesit të vetingut dhe sjellin prova nga vetë institucioni për veprime të tij që duken jokushtetuese e në kundërshtim me ligjin e vetingut.
Në mënyrë tipike, raporti jep shumë shifra, por shumë pak informacion. Edhe paraqitjet grafike të të dhënave duket sikur janë bërë për të penguar dhe jo për të lehtësuar kuptimin e e informacionit.
Sipas raportit, KPK-ja ka dhënë 141 vendime në periudhën 8 shkurt 2018—30 prill 2019, nga të cilat 56 vendime kanë qenë konfirmime në detyrë dhe 52 kanë qenë shkarkime të magjistratëve.
Siç mund të shihet nga grafiku i mëposhtëm, hartuar nga KPK, kolona e verdhë që tregon shkarkimet, megjithëse ka shifrën 52 sipër, lartësia e saj nuk korrespondon me 50 në boshtin e grafikut.
E njejta gjë dhe për kolonën jeshile që përfaqëson vendimet për konfirmimet në detyrë. Megjithëse janë marrë 15 vendime për përfundimin e procesit pa vendim përfundimtar, sipas kolonës treguese të kësaj kategorie kuptohet sikur janë 3 vendime të tilla.
Pakujdesia dhe rrëmuja me të cilën është bërë ky grafik është shenjë e mirë për pjesën tjetër të raportit. Dhe në të vërtetë, ngre pikëpyetje të mëdha.
Më poshtë është një tjetër grafik për vendimet e KPK-së bazuar në kriteret e vlerësimit që janë marrë në shqyrtim gjatë procesit të vetingut për 109 magjistratë. Vini re se, sipas grafikut të pare, KPK ka dhënë 56+52=108 vendime bazuar në vlerësimin e dosjeve të magjistratëve. Mbetet mister se nga ku del një dosje tjetër.
Ky grafik tregon numrin e vendimeve të KPK-së të marra bazuar në tre kritere (83 vendime), dy kritere (10 vendime) dhe një kriter (16 vendime).
Neni Ç i Aneksit të Kushtetutës qartazi thekson se “rivlerësimi përfshin kontrollin e pasurisë, të figurës dhe të aftësive profesionale, sipas neneve D, DH dhe E të këtij Aneksi dhe ligjit.”
Këto 26 vendime, të bazuar në vlerësimin e vetëm një ose dy kritereve, janë marrë gjithashtu në kundërshtim me ligjin e vetingut, ku neni 4, pika 1 thotë: “Procesi i rivlerësimit kryhet mbi bazën e tre kritereve: a) vlerësimi i pasurisë; b) kontrolli i figurës; dhe c) vlerësimi i aftësive profesionale”.
Çdo gjë më pak se sa vlerësimi i të tre kritereve është vlerësim jo i plotë dhe, për këtë arsye, vendimi përkatës bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin e vetingut.
Për më tepër, është e paqartë se në cilin nga kriteret është bazuar KPK-ja në secilin rast. Me pak arysetim, përfundimi mund të arrihet nga dy grafikët e tjerë. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) bën vlerësimin e pasurisë dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) bën vlerësimin e pastërtisë së figurës. Ndërsa vlerësimi për profesionalizmin kryhet nga vetë KPK-ja.
Sipas grafikut, ILDKPKI i ka dorëzuar KPK-së 108 raporte, numër që përputhet me numrin total të shkarkimeve ose konfirmimeve të KPK-së, gjithashtu 108 (minus 1 vendim “fantazmë”).
Sikurse shihet nga grafiku, KPK-ja ka vendosur të jetë më e shtrënguar se sa ILDKPKI-ja në 14 raste. Kjo përputhet me prirjen e KPK-së për të marrë vendime bazuar në pasuritë e pajustifikuara, pavarësisht madhësisë së tyre, qoftë edhe për vlerë minimale.
DSIK-ja i ka paraqitur KPK-së vetëm 92 raporte. Kjo tregon se DSIK, duke mos paraqitur raporte për të gjitha çështjet e marra në shqyrtim, ka shkelur ligjin e vetingut (nenin 35) sipas së cilit “Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar fillon menjëherë procedurën e kontrollit të figurës…”.
Grafiku tregon se në 6 raste DSIK-ja ka vendosur se subjekti i vlerësimit nuk e ka kaluar kontrollin, për shembull për shkak të kontakteve me figura kriminale, por KPK ka vendosur në kundërshtim me këtë vlerësim të DSIK-së.
Nëse KPK-ja ka marrë 108 vendime shkarkimi apo konfirmimi dhe ILDKP-ja i ka paraqitur KPK-së 108 raporte të deklarimit të pasurisë, pra të gjitha vendimet e KPK-së janë bazuar, teorikisht, së paku në një nga shtyllat e vlerësimit, atë të pasurisë. DSIK-ja i ka paraqitur KPK-së 92 raporte. Sipas KPK-së, 83 vendime janë marrë bazuar në vlerësimin e të tre shtyllave, çfarë do të thotë se 10 vendime janë marrë bazuar vetëm në dy shtylla vlerësimi dhe 16 vendime janë marrë në një shtyllë të vetme vlerësimi. Kjo do të thotë se 26 magjistratë nuk janë vlerësuar asnjëherë për aftësitë e tyre, në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit të vetingut.
Dëshmi të fundit kanë treguar se në rastin e shkarkimit të Gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha, komisioneret e KPK -së ka shkelur si ligjin e vetingut edhe Kushtetutën, dhe më pas KPK nuk ka pranuar të ndërmarrë hetime disiplinore për to.
Raporti statistikor nuk interpreton apo shpjegon shifrat si dhe nuk jep asnjë argument pse KPK e bërë publik këtë raport pikërisht në këtë moment, pasi ka funksionuar për vetëm 14 muaj dhe 12 ditë. Çfarë ky raport tregon është se vetë KPK mund të kthehet në kërcënimin më të madh të besueshmërisë së reformës në drejtësi.