Sotiraq Mëhilli, 22 vjeç humbi jetën, ndërsa Eno Mataj, 32 vjeç, u plagos gjatë një atentati me armë në Vlorë, në orët e para të datës 27 maj.
Ngjarja ndodhi në fshatin Poro të Novoselës, teksa Mëhilli dhe Mataj po udhëtonin me motor. Ata janë qëlluar me breshëri me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Pak orë pas ngjarjes, policia ka gjetur një makinë të djegur në fshatin Bishan, që dyshohet se është përdorur nga autorët e krimit.
Sipas hetimeve të deritanishme të policisë, 22 vjeçari i vrarë nuk ka patur të shkuar kriminale. Policia dyshon se shënjestra e atentatit ka qenë Eno Mataj, i cili është dënuar më parë në Greqi për disa grabitje. Mataj po ashtu dyshohet se në Greqi përdor dhe emrin Aleksandër Mata dhe akuzohet për vrasjen e avokatit grek, Mihalesi Zafeiropoulos, në vitin 2017. Këto akuza Eno Mataj nuk i ka pranuar, duke u shprehur se ka kryer grabitje, por se nuk është vrasës.
Vlora njihet si një nga qytetet më problematike në vend për sa i përket kriminalitetit dhe përplasjes me bandave.