Njëri nga anëtarët e bandës së “Bajrajve” do të ekstradohet në Itali, por vetëm pasi të gjykohet për krimet që ka bërë në Shqipëri. Gjykata e Shkodrës ka marrë qëndrimin pro ekstradimit të Ilir (Rrustem) Bajrit duke i plotësuar kërkesën Prokurorisë së të njëjtit rreth, por vendimi do të zbatohet vetëm pasi të mbyllet çështja e nisur në ngarkim të tij.
Ilir Bajri u arrestua më 6 shtator të vitit që shkoi në Shkodër pas aksionit policor të koduar “Oaz”. Ai është vëlla i Safet Bajrit, i cili ka gjithashtu probleme me ligjin. Sipas policisë Iliri ishte një nga 11 anëtarët e grupit kriminal “Bajri”. Në të bëjnë pjesë edhe Enver dhe Behar (Brajovic) Bajri akuzuar për grabitje, armëmbajtje pa leje, vrasje, trafik qëniesh njerëzore dhe trafik ndërkombëtar narkotikësh. Aktiviteti i tyre shtrihej në Belgjikë, Holandë dhe Itali.
Sipas asaj çka raportojnë mediat në vendimin e Gjykatës së Shkodrës thuhet se “ndaj Ilir Bajrit është regjistruar procedimi penal nr. 60/2018” nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe “për aq kohë sa të jetë e nevojshme për procedimin penal dhe gjykimin në themel të çështjes, ai nuk do të ekstradohet”.