Protesta dënohet me izolim brenda “ferrit”

Nga Rezearta Çaushaj
Protesta dënohet me izolim brenda “ferrit”

Kur kryen një krim apo një shkelje ligjore, ose të hiqet liria, ose duhet të paguash penalitetin.

Në asnjë vend demokratik nuk njihet izolimi brenda vendit si dënim, përveç rastit specifik kur tenton të kalosh të mënyrë të paligjshme kufirin. Janë vendet që qeverisen nën sisteme autoritare atë që izolimin e lëvizjes ose kontrollin e rreptë e kanë, pa përjashtim, një politikë standarde.

Kthimi i izolimit brenda vendit në formë ndërshkim përveçse tregon gjendjen si jemi katandisur (burg), tregon se qeveria bën ligje mbi ligje, pa u munduar fare t’u përmbahet koncepteve ligjore, sepse nuk ka kush e kontrollon.

Çfarë është krimi elektoral?

Nëse ti dhunon dikë, është dhunë.

Nëse dhunon ditën e zgjedhjeve dikë, është dhunë sërish.

Nëse vjedh vota, është vjedhje vote.

Nëse shet vota, është shitje vote.

Nëse manipulon, është manipulim.

Nëse je pjesë e administratës/policisë dhe ndërhyn në favor të një subjekti është abuzim me detyrën.

Pra, të gjitha “krimet” zgjedhore janë të përcaktuara tashmë në legjislacion, së bashku me dënimet dhe rrethanat përkatëse. Për çfarë u bë një ligj i jashtëzakonshëm, që përcakton një dënim të jashtëligjshëm? Për çfarë u bë një ligj, i cili bie hapur ndesh me nenin 38, pika 2 në Kushtetutë:

“Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit”.

Përveç rastit kur e ke humbur lirinë si pasojë e kryerjes së një vepre penale, nuk përcaktohet asnjë përjashtim për lëvizjen e njerëzve jashtë shtetit.

Pra, për çfarë është i nevojshëm një ligj i panevojshëm, fusha e të cilit mbulohet nga ligje të tjera dhe për cilat “krime” është përpiluar?!

Meqënëse ligji është menduar si përgjigje për deklaratat e opozitës se zgjedhjet nuk do të zhvillohen, në zbatim të dekretit të fundit të presidentit për anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, mund të mendohet se qëllimi i vërtet i tij është të ndalojë protestën në ditën e zgjedhjeve.

Pra, është protesta ndaj mbajtjes së jashtëligjshme të zgjedhjeve që do të dënohet me izolim brenda vendit deri në 10 vjet.

Në mënyrë pothuajse frojdiane, qeveria është e ndërgjegjshme që frika më e madhe e qytetarëve të saj është të ngecurit në një vend që ka rrëshkitur në diktaturë, ku nuk njihet ligji, nuk ka sistem drejtësie dhe sidomos, nuk ka të ardhme.

Si përfundim, dënohesh nëse proteston kundër krimeve zgjedhore si blerja, manipulimi, kërcënimi e bashkëpunimi me element kriminal, por jo nëse blen, manipulon, apo bashkëpunon me element kriminal e siguron vota duke kërcënuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>